E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i Ministrisë së Financave, deri në vitin 2013

Projekti

Konfirmohet rritja e pagave dhe pensioneve me 10 dhe 14%
Qeveria i bën ballë krizës ekonomike duke rritur pagat dhe pensionet, deri më 14 për qind. Pavarësisht krizës ekonomike, e cila ka ndikuar te të ardhurat, shpenzimet dhe tkurrjen e tregtisë me jashtë, qeveria ka vendosur në planin e kuadrit makroekonomik 2010-2013 që të rrisë fondin për politikat sociale. Konfirmimi vjen nga Ministria e Financave, e cila sapo certifikoi planin trevjeçar të taksave dhe shpenzimeve.
Konkretisht, në kuadrin e ri makroekonomik dhe fiskal, miratuar më 6 janar nga Këshilli i Ministrave, thuhet se do të vijojë rritja e qëndrueshme e nivelit të përgjithshëm të pagave, mesatarisht në masën 4 deri në 14 për qind. Sa u takon pensioneve, u miratua plani për rritjen e masës për kategori të caktuara, nga 7 deri në 10 për qind. “Kjo bëhet me qëllim ngushtimin e hendekut mes pensioneve të fshatit dhe qytetit”, thekson Ministria e Financave.
Për vitin 2010, qeveria ka vendosur në dispozicion të pensionistëve rreth 30 milionë dollarë. Fondi do të përdoret për rritjen e pensioneve sipas kategorive të caktuara në mesin e këtij viti, duke filluar nga muaji korrik 2010. Plan për rritje fondi ka edhe për administratën shtetërore, e cila në numër ka zbritur nën 90 mijë, kurse pensionistë janë gati 550 mijë.
Miratimi i kuadrit makroekonomik dhe fiskal bëhet çdo fillimviti nga qeveria, në mënyrë që të kihen parasysh skenarët e monitorimit dhe zbatimit të buxhetit të shtetit.
Edhe pse rritja e pagave dhe pensioneve nuk rekomandohet nga ndërkombëtarët, sidomos kur vërehen shenja krize, qeveria shqiptare ka vepruar në të kundërtën. Mjafton të kujtojmë rritjen e madhe të pagave dhe pensioneve në maj të 2009-ës, dy muaj para zgjedhjeve parlamentare. Kjo politikë, qeverisë shqiptare i kushtoi rreth 70 milionë dollarë, dhe vendi po përballej me rënie të të ardhurave.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›