E Diel, 1 Nëntor 2026

Që të keni jetë më të mirë seksuale, duhet të… peshoni pak!

Nga Dr. Adem Harxhi, New York më 28 gusht 2011 në ora 20:30

Nga një studim i kohëve të fundit mësojmë: Njerëzit e dhjamosur bëjnë më pak seks. Ata bëjnë më pak seks edhe kur nuk e duan këtë.

Anketimet kanë treguar se gratë, më shumë se burrat, janë të interesuara për t’u dobësuar. Sipas këtyre anketimeve mbi 50% e grave do të hiqnin dorë nga seksi për një vit, po qe se kjo do t’i ndihmonte të bëheshin më të holla nga ç’janë. Kjo është sakrificë jo e vogël! Por, kjo nuk është një trend i ri. Edhe në anketimet e disa viteve më parë 50% e grave amerikane dhe 25% e burrave, pranonin me kënaqësi të kalonin një verë pa seks dhe të mos fitonin 5 kg peshë.

Kuptohet, ka shumë njerëz, gra dhe burra, që janë gati të bëjnë shumë sakrifica për të rënë në peshë. Dhe këto sakrifica do të shpërblehen. Çdo rënie në peshë do të thotë më shumë seks.

ÇFARË THONË KËRKIMET?

Janë bërë shumë studime në këtë fushë. Ato të gjitha kanë provuar se rënia në peshë i ka ndihmuar njerëzit të ndjehen më tërheqës, më seksi dhe definitivisht, të ndjehen më të nxehtë në marrëdhënie seksuale. Janë bërë disa studime tek burrat obezë që i u nënshtruan operacioneve për t’u dobësuar, siç është operacioni i bypassit gastrik. Pas këtij operacioni kur ata filluan të bien në peshë, në gjakun e tyre u rrit niveli i testosteronit dhe u rrit ndjeshëm dëshira për seks. Kjo thuhet në një studim për këtë qëllim në Universitetin e Utahut. Shkencëtarët që kryen këtë studim thanë, se ata e dinin me siguri që rënia në peshë, pavarësisht si arrihet ajo, përmirësonte shëndetin e përgjithshëm të personit. Por tani, thonë ata, “ne provuam lidhjen direkte që ekziston midis rënies në peshë, nivelit të testosteronit në gjak dhe performancës seksuale”.

Ndryshon puna tek gratë. Gratë e dhjamosura nuk provojnë të njëjtën lidhje midis peshës dhe dëshirës për seks. Studimet me vërtetësi tregojnë, se gratë mbi peshë ose në peshë, dëshira e tyre për seks dhe eksitimi i tyre seksual nuk prishen. Mbi pesha e grave ndikon keq në marrëdhënien seksuale, vetëm në kuptimin që krijohen vështirësi në kryerjen e marrëdhënieve seksuale, sepse rritet distanca midis organeve gjenitale të partnerëve.

‘Burrat janë vizualë”. Kjo do të thotë se ata eksitohen seksualisht, kryesisht, nga pamja dhe mbipesha e gruas, natyrisht, çon në rënien e dëshirës për seks. Këtu fillon një zinxhir fenomenesh negative për marrëdhënien seksuale të çiftit. Kur burrit i ulet dëshira për seks, tek gruaja, më së paku, fillojnë shqetësimet emocionale. Për tu qetësuar, ajo i kthehet ushqimit pa kufizim dhe shton akoma më shumë në peshë.

Nuk janë vetëm burrat e dhjamosur që largohen seksualisht nga gratë e dhjamosura, por edhe gratë nuk i pëlqejnë burrat e dhjamosur. Një burrë i dhjamosur nuk është një partner seksual i lakmuar. Shumë çifte në këto kushte priren të largohen nga seksi, deri sa partneri të kthehet përsëri në formë.

Në studimet më të fundit është vërtetuar se personat e dhjamosur, pavarësisht janë burra ose gra, kanë jetë seksuale më të keqe, nga ata që kanë peshë normale. Duke u moshuar, njerëzit shtojnë në peshë. Moshimi dhe mbipesha janë dy faktorë që e prishin ndjeshëm jetën seksuale të çifteve. Në këto kushte, natyrshëm, lind pyetja: A kanë të gjitha çiftet të njëjtin fat, të jetojnë gjatë por të veçuar seksualisht?

SHIFRA

38% e burrave kishin hequr dorë nga seksi, nga që gratë e tyre kishin shtuar shumë në peshë sipas një studimi tjetër mbi burrat dhe gratë që përjetonin “martesa pa seks”.

2 cm më i gjatë bëhjet penisi i burrave që bien në peshë për çdo 5 kg peshë të humbur. Kjo vjen sepse del në dritë pjesa e tij e varrosur në dhjamë.

PAS MARTESËS NJERËZIT SHTOJNË NË PESHË

Ka një thënie të vjetër: “Njerëzit pas martesës e lëshojnë veten”. Me sa duket, kjo adage vazhdon të jetë e vërtetë edhe sot. Studiuesit në Greqi kanë vërtetuar se çiftet e martuara janë dy herë më të dhjamosur, nga shokët e tyre beqarë. Pse? Sepse të martuarit bëjnë më pak ushtrime fizike, kalojnë më shumë kohë përpara televizorit dhe porositin më shpesh ushqime të gatshme.

Për ta evituar këtë, çiftet e martuara duhet të bëjnë më shumë ushtrime fizike dhe të ushqehen më shëndetshëm. Kjo tingëllon shumë e thjeshtë! Por më besoni, është shumë e lehtë ta thuash këtë dhe është shumë e vështirë ta bësh. Çiftet fitojnë zakone të përbashkëta, të rehatshme, që është e vështirë t’i prishin. Përveç kësaj, ndonjëherë, këto zakone të reja, janë shumë të pëlqyeshme. Ata duan të rinë sa më shumë bashkë pas një dite pune të lodhshme dhe u duket e vështirë të dalin e të bëjnë një shëtitje.

Po qe se jeni mbi peshë dhe u shqetëson jeta juaj e vagët seksuale, bëni mirë t’i bëni vetes këto pyetje:

A dëshironi më shumë seks?
A ndjeni se marrëdhënia juaj nuk është ajo që do të dëshironit të ishte?

Po qe se këtyre pyetjeve u përgjigjeni me një “PO”, atëherë, ju dhe partneri juaj do të ndjeheni më mirë po qe se bashkë do të shkoni rregullisht në palestër..

Po qe se ndjeheni të lumtur kështu siç jeni dhe partneri juaj, gjithashtu, është i kënaqur me jetën seksuale që bëni, atëherë, mos e çani kokën për çfarë thotë studimi i komshinjve tanë grekë.

Por mos harroni! Mbipesha është shkaku i shumë sëmundjeve të tjera të rrezikshme. Po qe se shtoni disa ushtrime gjimnastikore në programin tuaj ditor, kjo do të thotë jo vetëm më shumë seks për ju të dy, por edhe më shumë vite jetë, që do t’i gëzoni edhe me më shumë seks. /shekulli/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›