E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëlloi fqinjin dhe veten, policia: Ishin të pirë

DURRËS/ Të afërmit e Muhamet Tuskut kanë vendosur ta varrosin në fshatin ku ai lindi, duke shmangur konfliktet me fqinjët e tyre


DURRËS - Trupi i 55-vjeçarit Muhamet Tusku është dërguar dje në fshatin Lunik të Librazhdit për t'u varrosur, ndërkohë që policia e Durrësit ka liruar djalin e tij 25-vjeçar. Nga të afërmit mësohet se një veprim i tillë është bërë për shkak se personi i plagosur nga Tusku ishte fqinj i tyre dhe për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm.


Ndërkohë mësohet se 25-vjeçari Aleksandër Zaimi është në spital jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet e kryera dhe nga marrja në pyetje e dëshmitarëve rezulton se konflikti mes Muhamet Tuskut dhe Aleksandër Zaimit ka nisur një vit më parë.


Babai i katër djemve, si dhe një vajze 15-vjeçare ka qenë të hënën në një lokal dhe aty është ndeshur sërish me fqinjin e tij me origjinë nga Përmeti. Nën efektin edhe të pijes, sipas dëshmitarëve okularë në vendin e ngjarjes, ata kanë filluar të sulmojnë njëri-tjetrin me fjalë.


Duke qenë se zënkat mes tyre ishin të vjetra, duket se edhe fjalët e kanë tejkaluar masën. Si rrjedhojë, 55-vjeçari ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi 25-vjeçarin dhe më pas, teksa e ka parë të shtrirë përtokë, është larguar duke e menduar se e ka vrarë.


Sipas policisë, 55-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes bashkë me të birin me automjetin tip "volksvagen". Pasi kanë mbërritur në afërsi të fshatit Rrashbull, djaloshi është kthyer për në Durrës, ndërsa i ati ka mbetur atje.


Në qytet 25-vjeçari Tusku është kapur nga policia, ndërsa është marrë në pyetje për të dhënë detaje për ngjarjen e ndodhur. Por ndërkohë, teksa blutë janë vënë në ndjekje të Muhamet Tuskut, duke menduar se e kishte vrarë 25-vjeçarin me të cilin grindej prej mbi një viti, ai nën tronditjen psikologjike ka qëlluar edhe veten duke mbetur i vdekur. Ndërkohë Aleksandër Zaimi është dërguar në spital ku edhe ka marrë ndihmën mjekësore edhe është jashtë rrezikut për jetën.


Të hënën në mbrëmje, të afërmit e 55-vjeçarit tërhoqën trupin nga morgu i Durrësit, ata i janë drejtuar fshatit të tyre Lunik të Librazhdit, ku edhe kanë kryer ceremoninë mortore për vdekjen e kryefamiljarit. Mësohet se një gjë e tillë është bërë edhe për të shmangur kontradiktat që mund të lindnin me fqinjët e tyre nga Përmeti, familjarë të Aleksandër Zaimit.


Nga ana e hetuesve, dyshohet se shkak për një fatkeqësi të tillë ka qenë pikërisht fakti se i plagosuri kërkonte të kishte një lidhje me vajzën e të ndjerit, ndërsa ky i fundit ka qenë gjatë gjithë kohës kundër. Gjithsesi, hetimet ende vazhdojnë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›