E Diel, 1 Nëntor 2026

Mallakastër, shteti ndërpret zhvarrimet, ua lë familjarëve

MALLAKASTËR - Gërmimet për gjetjen dhe zhvarrosjen e eshtrave të të burgosurve politikë të varrosur në fshatin Panahor të Mallakastrës janë ndërprerë. Pas gjetjes dhe zhvarrosjes së trupit të parë zyrtarisht nga varreza e Panahorit disa ditë më parë, ekspertët nuk janë parë më në territorin e gërmimit.


Burime nga ekipi task forcë që mori pjesë në këtë zhvarrim janë shprehur se ato do të vijojnë në rrugë private nga të afërmit e dënuarve në bazë të hartës që ka kjo task forcë për këto varrezë.


Nuk dihet se kur mund të kthehen gërmimet, por pas gjetjes së trupit të parë ka pasur shumë kërkesa nga familjarë, të cilët ende nuk i kanë trupat e të afërmve të tyre prej shumë vitesh. Mësohet se pas nxjerrjes së eshtrave të 58-vjeçarit Mustafa Korocka, nga Kuçi i Vlorës, grupi i punës do të lidhet me të gjithë familjarët e viktimave të burgut të Ballshit.


Fillimisht do të procedohet duke u kontaktuar me familjarët e atyre që këto vite kanë kërkuar zhvarrimet e të afërmve të tyre në mënyrë individuale ku nuk kanë gjetur gjë. Pikërisht lista emërore që disponohet nga ky ekip pritet të kontaktohet me familjarët e atyre që mendohet të jenë groposur pikërisht në parcelën e Panahorit.


Rrezikohet që këto gërmime të nisura në rrugë zyrtare të krijojnë probleme nëse zhvarrimet do të bëhen në rrugë private, pasi ato kërkojnë ekspertë në këtë fushë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›