E Shtunë, 31 Tetor 2026

I shpërthen granata në dorë, vdes 16-vjeçari

ELBASAN/ Adoleshenti gjeti granatën në lumë dhe e mori për t'ua treguar shokëve


ELBASAN - Municione të '97-s vrasin sërish duke i marrë jetën një 16-vjeçari. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e djeshme në fshatin Shtëpanjë të komunës Gostrimë të rrethit të Elbasanit.


Shpërthimi i një granate i ka shkaktuar plagë të rënda 16-vjeçarit O.Idrizi. Në gjendje kritike ai është dërguar në spital rreth orës 22:30 të së hënës nga familjarët. Por me gjithë ndihmën mjekësore ai nuk ka mundur të shpëtojë dhe ka gjetur vdekjen në spital.


Agjentët kanë grumbulluar prova dhe dëshmi mbi gjetjen e lëndës shpërthyese nga adoleshenti. Sipas të dhënave adoleshenti ka qenë me të vëllanë gjatë pasdites për peshk në lumin Devoll ku edhe ka gjetur granatën. Policia saktëson se i riu e ka marrë me vete atë.


Në mbrëmje kur ka dalë nga shtëpia për të luajtur ka marrë me vete edhe granatën me qëllim për t'ia treguar të tjerëve, por ka mjaftuar një pakujdesi që granata e ndryshkur t'i shpërthejë në duar.


Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe për të riun nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi si pasojë e plagëve që kish marrë. Mjekët e spitalit kirurgjik thanë se pjesë të granatës i kishin shkaktuar dëmtim të pjesës së përparme deri në organet e brendshme.


Me gjithë përpjekjet e tyre i riu ndërroi jetë. Policia e ka klasifikuar ngjarjen si aksidentale duke filluar procedimin për shkaktim të vetëvrasjes. Nga dëshmia e vëllait të tij granata ka ardhur si një mbeturinë në lumë.


Ajo mendohet se është pjesë e arsenalit që doli nga depot e 1997-s. Familja Idrizi në Shtëpanjë ka përcjellë për në banesën e fundit 16-vjeçarin. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur të gjithë banorët e zonës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›