Ish- Gardisti: Xhepexhiu e Bozi më sakatuan
Masakra e Cërrikut
Petrit Gjoka, rrëfeu dje se ishte mbajtur peng nga të akuzuarit që e godisnin me qyta automatiku në trup dhe i kishin thyer këmbën
Na thanë të niseshim në Cërrik, pasi të armatosurit po terrorizonin popullsinë dhe po kryenin grabitje
TIRANË- Seanca gjyqësore në ngarkim të nëntë të pandehurve të akuzuar si autorë të "Masakrës së Cërrikut", vazhdoi paraditen e djeshme me pyetjen e tre dëshmitarëve të akuzës, Ded Margjokajn, Ruzhdi Përnacën dhe Petrit Gjokën, të tre protagonistë të kësaj ngjarjeje.
Dëshmia e Petrit Gjokës, i plagosur në atë kohë, ku ka mbetur përjetësisht i gjymtuar në një këmbë, risolli në Gjykatën e Krimeve të Rënda skenën rrëqethëse të përshkrimit të ngjarjes së 23 majit 1997 në Cërrik. Në këtë ngjarje u plagosën kolegë, të tij dhe disa të tjerë u vranë dhe dy u dogjën brenda blindës.
Gjoka gjatë dëshmisë së tij, drejtoi gishtin nga të pandehurit Roland Xhepaxhiu e Meti Bozi si autorë të kësaj masakre. Masakra e Cërrikut, ndodhi në 23 maj të vitit 1997, në të cilën mbetën të vrarë gjashtë efektivë të Gardës dhe 16 të tjerë u plagosën. Sipas tij, ai ishte rrëmbyer nga të akuzuarit ndërsa kishin kërkuar ....................................
Nisja për në Cërrik
"Në shkurt të vitit '97 jam punësuar në Gardën e Republikës. Para se të punësohesha në Gardë isha polic i Forcave Speciale të vendosura në "Akademinë e Rendit" në Sauk. Operacioni i parë ku u angazhova me Gardën, qe ai i 22 majit të 1997.
Me 23 maj, u mblodhëm në Komisarit. Unë kisha shef Arjan Cangën. Na thanë se do të niseshim në Cërrik, pasi atje një grup të armatosurish po terrorizonin popullsinë dhe vidhnin banorët, pasi s'kishte komisariat.
Aty njoha Besnik Sulën, Sali Martinin, dhe atë shkodranin që u gjet i vdekur në dalje të Cërrikut, tri ditë pas ngjarjes. Ishte edhe një person nga Mirdita që vdiq në transportier. Mbaj mend Luan Prengën se isha bashkë me të në blind. Rrugës para se të futeshim bëmë një ndalesë.
Kontrolluam disa mjete dhe bllokuam 50-60 automatikë. Në hyrje të Cërrikut nga Papri pamë një djalë që kishte një automatik në dorë dhe po qëllonte drejt nesh dhe ishte i veshur me bluzë të kuqe.
Tre nga shokët tanë zbritën e morën dhe e futën në transportier. Ne u futëm në Cërrik, më pas u nisem për te policia, me qëllim vendosjen e rregullit. Unë isha tek blindi i dytë. Para nesh ishte një blind tjetër që u qëllua dhe më pas ai u tërhoq dhe ne dolëm të parët.
Kurthi i ngritur
Sapo u futëm në shesh u gjendëm përballë breshërish të armëve të ndryshme. Qëllohej në drejtimin tonë me automatikë, granata, kundërtanke. Nuk shihej asgjë në ajër përveç plumbave.
Dukej sikur binte breshër nga qielli. Të shtënat vinin nga tre anët e pallateve, nga tarracat. Në atë moment blindi jonë ndaloi. Një predhë anti-tanku ra tek zinxhirët e blindit dhe e ndau më dysh.
Në këtë moment i thashë shefit Arjan Cangut se do të dal. Dola, por u gjenda mes predhave. Isha 100 metra nga blindi, ndërsa mbaj mend që shefi më tha: Mos dil se të vrasin". Dola dhe pashë që para meje ishte një mensë punëtorësh.
Zura pozicion në një kënd. Në atë moment pashë Arjan Çangun tek këmbët e mia. Kishte vetëm të shtëna. Pashë Sali Martinin me bluzën e bardhë të gjakosur. Ai mbante një pistoletë në dorë por asnjëherë nuk qëlloi. Ai erdhi afër meje dhe u rrëzua,- rrëfeu Gjoka.
Kur pushuan të shtënat, mua dhe Luan Prengën na morën peng. "Nuk do t'i harroj kurrë fytyrat e Xhepexhiut dhe Bozit. Pasi pushuan të shtënat pashë që rreth meje erdhën 20-30 persona të armatosur.
Mua dhe Luanin na godisnin me qytë automatiku. Ai ishte rreth 10 metra larg meje në lulishte. Pashë një djalë të shëndoshë që tha mos e qëlloni se është i mbaruar. Djali i shëndoshë thoshte përsëri mos e prekni me dorë. Aty kam fiksuar Roland Xhepexhiun, pavarësisht se emrin nuk ia dija.
Ai më ka qëlluar me qytën e automatikut, duke më lënë sakat edhe sot, duke më thyer kockën e legenit. Më tërhoqën zvarrë edhe pse gruaja dhe djali i ri erdhën dhe nuk donin që ata të më vrisnin. Ata më morën por të tjerët më godisnin. Personi i shëndoshë përsëriste fjalën të mos më godisnin. Më morën zvarrë dhe më çuan në një familje private...."-shtoi dëshmitari i zverdhur në fytyrë.
Gardisti i vrarë, amanet për familjen
"...Kam përjetuar ditën e tmerrit. Ata njerëz vetëm qëllonin dhe ne nuk dinim si të qëndronim dhe përse e bënin këtë gjë. Sali Martini ishte i gjithi i larë në gjak. Në grahmat e fundit, teksa jepte shpirt më tha "amanet mi ço fjalë robëve të shtëpisë se jam i vdekur".
Pas këtij çasti në mes të sheshit rreth 50 metra larg blindit pashë Besnik Sulën. Pa u afruar te tanku atë e kapi plumbi. Unë i thirra: Besnik largohu", por atij i hidhej trupi në ajër nga plumbat. Bërtiste teksa i dilte shpirti në mes të sheshit. Dy kolegë të tjerë u dogjën të gjallë në blind, pas goditjes së dytë të tij në serbator, që shkaktoi djegien e blindit bashkë me njerëzit brenda.
Ne kthyem kokat dhe pamë që nga lart në një shtëpi po na thërriste një grua dhe një djalë. Ata na thoshin kujdes se do t'ju vrasin dhe ne i kërkuam ndihmë. Na thanë se nuk mund të na ndihmonin dot pasi kishin frikë mos i vrisnin.
Mbaj mend që pranë meje ishte dhe Agron Kuliçi i plagosur. Më vonë mësova se Kuliçi ishte shef i komisariatit të Elbasanit. Mora Kuliçin dhe e futa në transportier. U mundova të merrja Luan Prengën që ishte i plagosur në lulishte rreth 30 metra larg. Unë u hodha nga një rrjetë që ishte aty, por më kapi një predhë në kofshën e djathtë.
Këmba mu copëtua. Për momentin nuk e kuptova që u plagosa. Rashë në tokë dhe me ndihmën e automatikut tentova të ngrihesha, por pashë që gishtat e këmbës mu kthyen mbrapsht. Kuptova që isha plagosur. Eca zvarrë duke u mbështetur në një mur.
Ndeza dy cigare për 5 minuta. Banorët ndodheshin lart më thoshin kujdes se të vranë, por nuk të ndihmojmë dot. Unë isha i devijuar nga rruga në cep të pallatit. Pashë një djalë që me armë në dorë, kontrollonte të plagosurit dhe viktimat nëpër xhepa.
Të shtënat që zgjatën 30-40 minuta pushuan. Unë hoqa rrobat e forcave speciale dhe isha me tuta sportive. Policia u tërhoq e gjitha dhe aty mbetëm vetëm ne të plagosurit. Në cep të pallatit qëndrova 20 deri 30 minuta. Iu kërkova banorëve të më ndihmonin. Një grua dhe një djalë i ri më thanë se kishin frikë mos i vrisnin"-tha dëshmitari Gjoka.
Gardistët këmbim "pengjesh", me të arrestuarit e policisë
"Gruaja e familjes ku më futën bërtiste, "unë nuk i lëshoj këta të dy nëse nuk më kthejnë vëllanë". Më duket se djali që ne shoqëruam kur u futëm në Cërrik ishte vëllai i kësaj gruaje. Por, të them të drejtën ajo më hapi divanin shtroi çarçaf dhe më solli jastëk.
Aty isha unë dhe Luan Prenga, dy pengjet e kapur nga grupi pasi u plagosëm. Emrin e të zotit të shtëpisë ku na futën nuk e mora vesh asnjëherë. Ata në thanë mos kishim probleme.
Aty ishin dy burra dhe 4-5 gra. Ndërkohë që në dritare rrinin të gjithë të armatosurit duke kërkuar të na vrisnin. Filluan të na shajnë nga familja. Fjalët më të rënda dhe banalet që ekzistojnë (i thotë edhe para gjykatës).
Mbaj mend një trup të shkurtër dhe me një rrip në kokë e një dorë të fashuar. Ai këmbëngulte gjatë gjithë kohës dhe thoshte se do të na vriste që të dy. Por, të zotët e shtëpisë nuk i lanë të futeshin brenda.
Erdhi një burrë i shkurtër dhe me flokë të shkurtër pothuaj tullac. Ai filloi të na pyeste s ç'punë bëja. I thashë që jam polic. Më pas më pyeti përse kisha shkuar atje. Mua nuk u morën shumë në pyetje pasi isha në gjendje të rëndë, por më shumë pyetën Luanin që kishte marrë predha nga këmbët. E pyetën se ku punonte, ndërsa ai iu tha se qe kapter magazinier në Gardë.
Burri tullac i tha: Si ore kapter, ç'deshe këtu ti ?
Ma pas e goditi me qytë automatiku. Luani ra nga karrigia. Ai që pyeste kishte në dorë radio policie, që ishte e Arjan Çangës, shefit të vrarë. Personi në fjalë është Met Bozi dhe fytyrën e tij nuk e harroj kurrë.
Me radion në dorë ai kontrollonte lëvizjet e policisë. Në këtë moment që po na pyesnin kaluan dy helikopterë të NATO-së. Ata thanë "na rrethuan hajde të largohemi". Ai nuk lëvizi fare që aty- tha Gjoka dhe i drejtoi gishtin Met Bozit e Roland Xhepexhiut që ishin ngritur në këmbë me urdhër të Gjykatës që dëshmitari t'i identifikonte.
------------------
Met Bozi na intervistoi me kamera
"...Dy ose tre orë pasi pyetjes së parë, erdhën 4-5 persona brenda. Ishin çuna të rinj. Ajo gruaja e familjes më ka thënë. "A mund të bësh një thirrje që të mos i vrasin kunatin".
Unë i thashë se nuk kisha ku të bëja thirrje pasi isha i plagosur. Ajo gruaja më tha sërish "ju u ka vrarë politika se ajo u ka sjellë këtu".
Aty ishin kryetari dhe nënkryetari i Partisë Socialiste. Met Bozin e mbaj mend si fytyrë dhe nuk do e harroj kurrë, ndërsa, kryetarin nuk e kam fiksuar. Gruaja vazhdoi dhe tha sërish, "ishalla shpëtoni me kaq".
"Pse gënjen, ti je polic dhe jo i gardës" më thoshin ata të armatosurit. Ata ishin lyer në fytyrë me bojë dhe në kokë kishin kapuçë. Më kapën 3-4 veta dhe më thanë se do të dilnim jashtë. Ma kapën zvarrë dhe më thanë se do të më çonin në spital të shihja dy shokët e mi të djegur.
Më thanë se si kanë djegur ata do të më digjnin edhe mua. Më hipën në një veturë dhe më kthyen sërish brenda. Më pas erdhi Meti Bozi me një djalë me kamera që filmonte. Met Bozi më pyeste dhe ai filmonte. Një moment mbaj mend që ata nuk ranë dakord për filmimin dhe i hoqën një kasetë se donin të viheshin çfarë ata kishin dëshirë.
Ne ishim të detyruar të thoshin dhe bënim çfarë të donin ata. Pasi po bërtisnin dhe filmonin iu thashë Më mirë më fusni një plumb kokës se sa më torturoni në këtë mënyrë". Intervista zgjati 12-13 minuta. Më shumë pyetën Luanin se unë nuk isha në gjendje të mirë. Luani në një moment iu tha: Më mirë më vrisni mua dhe këtë djalin dërgojeni në spital".
Ata iu përgjegjën: Aty e ka vendin ky qen pse ka ardhur këtu". Pas dy orësh erdhi një person dhe bënë bisedime për shkëmbimin. Policia do të lironte djalin që shoqëroi në hyrje të Cërrikut dhe banditët neve. Mua më morën, më hipën në të njëjtën makinë dhe u nisëm drejt Elbasanit. Ndërsa, Luani u lirua 40 minuta më vonë. Në dalje të Cërrikut ishte një postbllok.
Personi që ishte në makinë me mua, u tha atyre që të mos lejonin asnjë makinë të hynte në Cërrik pa u kontrolluar më parë. Më çuan në Elbasan dhe më pyetën nëse doja të shkoja në Spital. U thashë më mirë më çoni tek fugonit për në Tiranë.
Atje më çuan. I thanë shoferit "sa lekë donte" dhe ai tha sa të donin ata. I dhanë 15 mijë lekë të vjetra. U nisëm dhe i thashë shoferit ec ngadalë dhe ndiz dritat se nuk të ndal njeri. Në Metalurgjik kishte postbllok policie. Nuk ndaluam. Në fugon ishte një vajzë e cila më ndihmoi duke i vënë plagës dy ngjitës kur i hoqa fashën për të mos më rrjedh gjaku.
Mbërrita në spital dhe aty me erdhi familja. Kam qëndruar 15 ditë në fillim. Më pas u ktheva dhe doktorët më bënë një grafi e cila doli se kisha plasje të kockës së legenit nga të gjuajturat me qyt automatiku"-tha Gjoka.