E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëlloi kunatin për vdekje, burg pa afat 24-vjeçarit

• SHKODER - Gjykata e Shkodrës ka vendosur dje masën e sigurisë "burg pa afat" për Fatjon Bushatin, 24-vjeçarin që 4 ditë më parë qëlloi mbi Ardian Mujën, të fejuarin e motrës.

Seanca gjyqësore për dhënien e masës së sigurisë për Bushatin është zhvilluar rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, në masa të rrepta sigurie dhe me dyer të mbyllura. Trupi gjykues, i kryesuar nga Tunxh Vatnika, ka dhënë për të masën e sigurisë "burg pa afat" nën akuzat e "vrasjes me dashje" dhe ajo e "armëmbajtjes pa leje". Ndërkohë, mësohet se gjatë seancës së djeshme, Bushati nuk ka pranuar akuzën e vrasjes me paramendim dhe as akuzën e armëmbajtjes pa leje. Bushati ka rrëfyer para trupit gjykues se nuk ka pasur armë, por ia ka marrë atë viktimës dhe më pas ka qëlluar mbi të, në kushtet e vetëmbrojtjes. Ndërsa ka mbetur ende e paqartë plagosja e motrës së tij, Sidorela Bushatit, 22 vjeçe. Paqartësia se cili ka qenë ai që ka qëlluar mbi vajzën ka bërë që në seancën e djeshme të masës së sigurisë të mos merret në shqyrtim plagosja e saj. Mësohet se dëshmia e saj për ngjarjen nuk mund të merret për momentin, pasi ajo ndodhet e shtruar në Spitalin Rajonal Shkodrës në gjendje të rëndë shëndetësore. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›