Sarkozi: “Franca mund të bojkotojë Lojërat Olimpike”
Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, tha se vendi i tij nuk do të përjashtojë mundësinë e një bojkoti të Lojërave Olimpike të Pekinit, në rast se Kina nuk i trajton me përgjegjësi trazirat e kohëve të fundit në Tibet. Kina kritikoi veprimtarët e të drejtave të njeriut që shkaktuan ndërprerje në ceremoninë e ndezjes së pishtarit olimpik për Lojërat e Pekinit që u zhvillua nën masa të rrepta sigurie në qytetin antik grek të Olimpit, duke thënë se veprimet e tyre ishin të “turpshme”. Duke folur dje për gazetarët në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze u bëri thirrje autoriteteve të vendeve, ku do të kalojë pishtari, që të sigurojnë kalimin pa probleme të pishtarit. Zëdhënësi i cilësoi përpjekjet për sabotimin e udhëtimit të pishtarit si “jopopullore”. Media kineze nuk i ka përmendur fare protestat e djeshme në qytetin antik grek të Olimpit, madje e cilësuan ceremoninë e ndezjes së pishtarit olimpik si sukses. Media e transmetoi ceremoninë, por jo kur protestuesit u përleshën me forcat e sigurimit dhe ndërprenë fjalimin e shefit të komitetit organizator kinez të Lojërave Olimpike.
26 Mars 2008