E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e adresave, bashkia nis verifikimin e zonave informale

• SHKODËR - Mungesa e adresave të sakta është kthyer në një problem madhor për banorët e qytetit të Shkodrës.

Pako që vijnë nga jashtë vendit për qytetarë të ndryshëm, në shumë raste mbesin për shumë kohë në zyrat e Albpostës, pasi nuk ka adresa të sakta të personave apo të familjeve që duhet t'i marrin ato. Situata është e njëjtë edhe për faturat e energjisë elektrike apo të telefonit, të cilat në kushtet e mungesës së adresave mbesin pa u dërguar në destinacion. Situata sa vjen dhe rëndohet për shkak të zgjerimit të qytetit të Shkodrës si dhe rritjes së popullsisë së tij. Nisur nga ky kaos, shumë banorë janë ankuar pranë Bashkisë së Shkodrës duke kërkuar zgjidhjen në kohë të problemit. Ndërkohë, burime zyrtare nga ky institucion pohojnë se janë në dijeni të shqetësimit që ngrenë qytetarët dhe se po merren masa që më në fund qyteti të ketë adresa të sakta. Për këtë, Këshilli Bashkiak do të marrë në shqyrtim emërtimin e saktë të rrugëve dhe të lagjeve të reja (zonave informale). Migrimi i banorëve vitet e fundit nga zonat e thella rurale dhe vendosja e tyre me banim në qytet, ka pasuar me ndërtime të shumta si dhe krijimin e disa zonave informale. Që nga fillimi i viteve '90-të e deri tani, numri i popullsisë së këtij qyteti është shtuar me 30 mijë banorë. Por krijimi i zonave të reja të banimit nuk është shoqëruar me një studim për emërtimin e lagjeve dhe të rrugëve. Ndërkohë që drejtuesit e Bashkisë Shkodër shprehen se shumë shpejt kjo situatë do të ndryshojë. Këshilli Bashkiak i mandatit të kaluar ka ndërmarrë një iniciativë për riemërtimin e rrugëve dhe hedhjen e tyre në hartë. Kriteri i kësaj pune ka qenë që të ruhen emrat e vjetër tradicionalë. Ndërsa për rrugët pa emra do të vendosen ata të dëshmorëve apo heronjve të vendit tonë.                                        r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›