Qëlloi mjekun Agron Ylli, Valisi në gjyq për vrasje
Prokuroria dërgon në gjyq me akuzën e "vrasjes me dashje të mbetur në tentativë" personin që plagosi me thikë mjekun Agron Ylli, në zyrën e tij në Tiranë. Bujar Valisi, 35 vjeç, akuzohet se ka tentuar të vrasë mjekun Agron Ylli, duke e qëlluar dy herë me thikë në zyrën e tij te "Shallvaret" në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur më 13 dhjetor 2008 kur i akuzuari, për vrasje të mbetur në tentativë, shkoi në klinikën e mjekut endokrinolog-diabetolog dhe u interesua për çështjen e gruas së tij. E shoqja e të akuzuarit Bujar Valisi ishte verifikuar nga mjeku Agron Ylli, ndërsa i shoqi i saj pretendonte veç mjekimit të gruas edhe përfitimin e Kempit. Nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës, ka rezultuar se në momentin e ngjarjes Bujar Valisi kishte konsumuar sasi alkooli porse ishte në gjendje të përgjegjshme për veprimet që po kryente. Prej shtatë vitesh gruaja e tij vuante nga tiroidet ndërsa veç mjekimit, i shoqi kërkonte edhe Kempin. Hetimet për këtë ngjarje zgjatën rreth gjashtë muaj, nga dhjetori 2008 deri më 27 maj 2009, kur dosja penale me nr.1365 është dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës.