E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pa karta vetëm 100 mijë votues”

 

ADI SHKEMBI

Në kulmin e debateve për procesin e kartave të identitetit, qeveria pretendon se janë rreth 100 mijë qytetarë pa pasaportë që jetojnë në Shqipëri dhe nuk kanë aplikuar ende për dokumentin e ri. Këtë e bëri të ditur dje kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e radhës së qeverisë, ku njoftoi edhe masat më të fundit të ndërmarra për përshpejtimin e procesit. “Nëse do të merren për bazë proporcionet e qytetarëve me pasaportë dhe qytetarëve pa pasaportë në Shqipëri, Shqipëria ka gjithsej 3 milionë e 100 mijë zgjedhës, nga të cilët së paku gjysma e tyre janë jashtë vendit, atëherë mbetet që nga zgjedhësit pa pasaportë që nuk kanë aplikuar, të jenë përafërsisht nga 60 mijë, maksimumi deri në 100 mijë persona”, u shpreh kreu i ekzekutivit në mbledhjen e qeverisë. Kjo shifër bie ndesh me të dhënat e Partisë Socialiste, e cila pretendon se një numër shumë i madh qytetarësh pa pasaportë nuk kanë aplikuar ende për kartat e identitetit. Ky pretendim i opozitës bëri që ajo të hyjë në një debat publik me Ministrinë e Brendshme, ku i kërkoi asaj listat e qytetarëve që nuk kanë aplikuar ende. Qeveria së bashku me kompaninë koncesionare kanë vendosur dje që duke filluar nga 30 maji të mos lejohet të aplikojë asnjë qytetar që ka pasaportë. Kjo masë ndërmerret me qëllim që në zyrat e aplikimit të mos krijohen radhë dhe t’u jepet përparësi qytetarëve, të cilët nuk kanë asnjë prej dy dokumenteve për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. “Në takim u ra dakord që, duke filluar nga data 30 maj e deri në fund të muajit qershor, kompania koncesionare të mos lejojë kryerjen e procedurave të aplikimit dhe prodhimit të letërnjoftimeve për shtetasit që zotërojnë pasaportë për jashtë shtetit dhe të gjitha kapacitetet teknike të fokusohen në pajisjen me letërnjoftime elektronike vetëm të shtetasve që nuk zotërojnë pasaportë”, thuhet në njoftimin e zyrës së Këshillit të Ministrave në përfundim të takimit mes kreut të qeverisë dhe kompanisë “Aleat”. Në rast se punonjësit e zyrave të aplikimit do të pranojnë personat me pasaportë, ndaj tyre do të ndërmerren masa disiplinore. Gjithashtu, në procesin e shpërndarjes së letërnjoftimeve të prodhuara gjer më tani, prioritet t’i jepet qytetarëve që nuk kanë pasaportë. Një udhëzim lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit është edhe orari kur do të qëndrojnë të hapura zyrat e aplikimit. Kryeministri Berisha bëri të ditur në mbledhjen e qeverisë se puna në këto zyra do të ndahet në dy turne, nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 13:00 dhe nga ora 17:00 deri në orën 21:00. Sipas të dhënave të kompanisë “Aleat”, në zgjedhje mund të aplikojnë deri në 400 mijë qytetarë. Lidhur me shqetësimet e opozitës për këtë proces, kryeministri Berisha theksoi se, “ne e garantojmë atë për një proces tërësisht transparent, opozita është e ftuar të studiojë kapacitetin ekzistues, i cili është i jashtëzakonshëm. Megjithatë kompania mori përsipër sot ta studiojë situatën. Në rast se ndokund, në ndonjë komunë, në ndonjë lagje, në ndonjë  lokalitet, ka një numër më të madh se kapaciteti i qendrës, kompania u zotua të dërgojë me shpejtësi kapacitete shtesë”.

Të dhënat deri në 27 maj

    1.116.301 qytetarë kanë aplikuar     450.000 qytetarë pa pasaportë që kanë aplikuar     584.824 karta të shpërndara     951.638 karta të dërguara në zyrat e aplikimit     16.128 qytetarë kanë aplikuar në 27 maj     15.813 karta të shpërndara në 27 maj     100.000 qytetarë pa karta që nuk kanë aplikuar ende sipas qeverisë     30 maj afati i fundit kur mund të aplikojnë edhe qytetarët me pasaportë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›