E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vë zjarrin stanit, prangoset i sëmuri mendor

I vë zjarrin stanit të bashkëfshatarit, prangoset 37-vjeçari me të meta mendore. Burime zyrtare nga Policia e Përmetit bëjnë të ditur se mëngjesin e djeshëm është prangosur Artan Zaim Shehaj, lindur dhe banues në fshatin Vinokash të Përmetit. Mësohet se 37-vjeçari i ka vënë zjarrin stanit të bashkëfshatarit të tij, duke rrezikuar jetën e banorëve dhe djegien e shtëpive të tjera të fshatit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03.00 të mëngjesit të djeshëm, kur disa banorë të fshatit Vinokash të Përmetit kanë njoftuar në sallën operative të Komisariatit të Policisë se një shtetas, i njohur si person me të meta mendore, i ka vënë zjarrin dhe ka djegur vathën dhe kasollen e bagëtive të një bashkëfshatari të tij. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Komisariatit të Policisë së Përmetit dhe grupi hetimor ka nisur menjëherë nga puna për gjetjen e autorit dhe zbardhjen e ngjarjes. Nga dëshmitë e mbledhura prej banorëve të zonës dhe nga vetë të dëmtuarit, ekspertët kanë konstatuar se autor i zjarrvënies ka qenë 37-vjeçari Shehaj. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se Shehaj, pas një grindjeje banale që ka pasur me bashkëfshatarin e tij me iniciale S. K., në shenjë hakmarrjeje është zgjuar natën dhe i ka vënë zjarrin kasolles së bagëtive të tij. Flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi dhe kanë rrezikuar të përfshinin edhe banesën e këtij shtetasi, pasi kasollja e bagëtive ishte shumë afër me të. Sapo ka pikasur tymin S. K., i ndihmuar edhe nga disa banorë të tjerë që jetonin pranë tij, kanë ndërhyrë për të shuar zjarrin dhe për të shpëtuar bagëtitë dhe banesën nga flakët. Megjithatë nuk është arritur të shpëtohet baza ushqimore, 30 pulat dhe qeni i stanit që ndodheshin brenda kasolles, e cila është shkrumbuar e gjitha.

Ndërkohë, burime policore pohojnë se Shehaj njihej në fshat si person me probleme mendore. Nga veprimet hetimore, por edhe nga dëshmitë e marra prej familjarëve dhe bashkëfshatarëve të tij, rezulton se 37-vjeçari është i sëmurë mendor, ndonëse nuk është i pajisur me kartelë mjekësore dhe nuk trajtohet me medikamente. Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të zjarrvënësit Artan Shehaj, duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale të "shkatërrimit të pronës me zjarr", parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal. Ndërkohë, dosja me materialet hetimore i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme procedurale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›