E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikatat: Qeveria dhe INSTAT mashtrojnë shqiptarët

Pas 24 orësh nga publikimi i INSTAT-it se rritja ekonomike për tremujorin e parë 2009 ishte 6%, ka reaguar Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë. Kryetari Kol Nikollaj tha dje i shqetësuar se, qeveria dhe INSTAT-i po mashtron shqiptarët dhe se sindikata, si një institucion i pavarur, i cili mbron interesat social-ekonomike të punëtorëve, të papunëve dhe pensionistëve, me prova dhe argumente bindëse vërteton të kundërtën për rritjen 6 për qind. "Shqipëria fatkeqësisht këtë vit do ta mbylli me stanjacion ekonomik, sado që të manipulohen e të fryhen shifrat, të cilat tashmë kanë humbur gjithë kredibilitetin dhe besueshmërinë publike, ato nuk do ta kalojnë parashikimin e FMN-së dhe Bankës Botërore për rritjen vetëm me 0.2-0.4 për qind të ekonomisë për vitin 2009", tha Nikollaj. Sindikatat paraqitën kritika ndaj qeverisë për shpenzimet e tepruara gjatë kohës së fushatës, të cilat nuk dhënë impaktin e duhur. Sipas Nikollajt, papunësia është rritur dhe vazhdon të mos ndalet frenimi i saj; kanë humbur vendet e punës rreth 25 për qind e fasonistëve, 20 për qind e punonjësve të industrisë nxjerrëse e përpunuese të mineraleve, 15 për qind e punonjësve të ndërtimit. Papunësia në vend, sipas rajoneve, luhatet nga 30-36 për qind, deklaroi KSSH-ja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›