E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefonata për bombë, evakuohen dy shkolla

ELBASAN/ Policia ka evakuar mëngjesin e së hënës dy shkolla në qytetin e Elbasanit pas një telefonate për bombë


ELBASAN - Një telefonatë e mbërritur në sallën operative të policisë së Elbasanit, ka lënë pa mësim dy shkolla. Rreth orës 10:40 kur nxënësit sapo ishin futur në mësim pas orës së mësimit një telefonatë e mbërritur në sallën operative ka bërë që brenda disa minutash të evakuohen dy godina shkolle afër njëra-tjetrës.


Shumë agjentë të policisë kanë mbërritur në shkollë duke evakuar mësues e nxënës nga të dy godinat ngjitur me njëra-tjetrën.


Rreth 800 nxënës kanë braktisur klasat në tri kate dhe shumë shpejt agjentët me anë të mjeteve të specializuara kanë filluar kërkimet për bombën e lajmëruar. Përreth godinave është ruajtur distanca e sigurisë, ndërsa e gjithë vëmendja e banorëve ka qenë në këto dy godina të cilat pasi janë kontrolluar me imtësi kanë rezultuar të pastra nga lëndë plasëse.


Në përfundim policia ka dalë në konkluzionin se telefonata ka qenë një alarm i rremë për bombë. Në vendin e ngjarjes ka qenë vetë drejtori i policisë Sajmir Muça. Ai tha se po verifikohet telefonata. Mendohet se autori ka qenë nxënës i kësaj shkolle.


Agjentët kanë marrë në pyetje disa të rinj për të mbërritur tek personi që ka bërë telefonatën. Ai mendohet të jetë në vitin e tretë, por gjithsesi ende burime të policisë mbeten të rezervuara për të konfirmuar identitetin e tij. Drejtorët dhe mësuesit e shkollave duke dalë kanë marrë me vete edhe regjistrat.


Ata thanë se kjo është një lojë nxënësish për të bërë pushim pjesën e dytë të mësimit pas pushimit të gjatë. Në vendin ku është lajmëruar për bombë ka mbërritur edhe drejtoresha e Arsimit, Mimoza Matraxhiu, e njoftuar për ngjarjen.


Ajo është njohur me këtë akt të nxënësve dhe ka kërkuar marrjen e masave nga drejtoritë respektive që kjo situatë të mos përsëritet. Ky është rasti i dytë kur nga kjo shkollë lajmërojnë për vendosjen e një bombe. Një vit më parë një alarm i ngjashëm bëri që agjentët të ndërmarrin një tjetër ofensivë duke evakuar të gjithë nxënësit. Policia arriti të zbulojë telefonuesin duke e arrestuar.


Ai ishte pikërisht një nxënës nga shkolla. Gjithsesi, pritet që brenda disa orësh të arrihet në emrin e telefonuesit. Ai do të procedohet duke rrezikuar edhe qelinë për gjestin e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›