Qëllon me armë në mes të qytetit, më pas vret veten
TMERRI/ Ahmet Et'hemi ka tentuar të vrasë një shtetas duke qëlluar në mes të rrugës, fatmirësisht pa viktima
SHKODËR - Dje në mesditë, qytetarët e Shkodrës kanë parë një person me armë në dorë që qëllonte kuturu për të vrarë një shitës fruta-perimesh, por që plumbin e fundit e ka ruajtur për veten duke ndërruar jetë brenda magazinës së një dyqani shumice.
Skena e zhvilluar dje në qytetin e Shkodrës ka shkaktuar një viktimë e pikërisht "aktorin" e saj, 52-vjeçarin Ahmet Et'hemi. Ka qenë ora 14:50 kur Et'hemi është parë në gjendje jonormale duke lëvizur në një rrugicë pranë sheshit të stadiumit në drejtim të rrugës "Bujar Beshanaku".
Në dorë ai ka pasur një pistoletë me të cilën ka qëlluar në drejtim të shtetasit B.Zalli, i cili ka një dyqan të vogël në të majtë të rrugicës. Ndjekja ka vazhduar për rreth 70 metra, ndërsa kalimtarët e shumtë të rrugës me dy korsi janë terrorizuar nga plumbat, që fatmirësisht nuk kanë goditur njeri.
Ndërsa objekti i sulmit ka mundur të largohet duke vrapuar, Et'hemi me armë në dorë ka kaluar korsinë e rrugës dhe është futur tek njëri prej dyqaneve që ndodhen në të djathtë të saj, ku tregtohen mallra ushqimore me shumicë.
Aty ai ka hyrë tek magazina dhe ka qëlluar veten në kokë me plumbin e fundit që kishte në pistoletë. Policia, e cila ka parë skenën që nga të shtënat e para, ka tentuar ta ndalojë 52-vjeçarin, madje ka qëlluar në ajër, por Et'hemi ka qëlluar edhe drejt tyre.
Në vendin e ngjarjes, burri, që është identifikuar vetëm pas rreth 90 minutash, është gjetur me armë në dorë, i vdekur me një plumb në kokë, ndërsa arma nuk ka pasur fishekë të tjerë në të.
Në vendin ku ai ka qëlluar për herë të parë dhe gjatë rrugës janë gjetur disa gëzhoja pistolete. Janë shoqëruar për të dhënë sqarime disa dëshmitarë okularë dhe personi që ka dashur të vritet nga Et'hemi. Sipas dëshmive të grumbulluara nga policia, Ahmet Et'hemi është ndaluar në rrugë tek shtetasi B.Zalli që shet perime e fruta dhe i ka thënë atij t'i peshonte dy kile mollë.
Ndërsa priste porosinë, ka larguar bluzën dhe ka vënë dorën te pistoleta. Kur ka parë këtë, Zalli është larguar me vrap, duke u ndjekur nga Ahmet Et'hemi që qëllonte pa e ditur se ku.
Prokuroria po merret me zbardhjen e plotë të ngjarjes që, sipas të dhënave paraparake, është një tentativë vrasjeje e dështuar që ka përfunduar me vetëvrasje. Viktima thuhet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur ka filluar të qëllojë.
Madje, mësohet se prej disa kohësh ai ka shfaqur shqetësime mendore. Nga deklarimet që policia iu ka marrë familjarëve të viktimës, bashkëshortja ka deklaruar se ai e ka marrë në celular pak para se të ndodhte ngjarja dhe i ka thënë t'ia bënin hallall se do të vriste veten. Ahmet Et'hemi ishte oficer në lirim.