E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëllon për të vrarë qentë e rrugës, plagos mekanikun

21/05/2009  Ndalohet një 69-vjeçar: Doja ti vrisja, më kishin prishur kopshtin, pa dashje qëllova fqinjin

DURRES- Pakujdesia i ka kushtuar rëndë një shtetasi, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një tufe me qen, por pa u siguruar për objektivin. Një ditë më parë shtetasi Muharrem G. i moshës 69 vjeç ka parë në kopshtin e shtëpisë së tij disa qen që i kishin prishur edhe të mbjellat. Gashi nuk ka vonuar dhe pasi ka marrë çiften ka shtënë në drejtim të qenve, por ka plagosur rëndë mekanikun e servilit përballë banesës së tij.

Incidenti

Shtetasi Muharrem G., 69 vjeç, një ditë më parë është ndaluar nga efektivët blu të policisë së Durrësit për plagosjen pa dashje të një shtetasi tjetër. Ngjarja ka zënë fill në tentativën e shtetasit për të vrarë disa qenë rrugaçë, të cilët kishin hyrë në kopshtin e tij duke i dëmtuar rëndë të mbjellat. Pasi ka marrë çiften ka shtënë drejt tyre, por në fakt plumbat kanë zënë një të ri, mekanik në një pikë servili ngjitur me banesën e 69-vjeçarit. Pika e riparimit të automjeteve ka qenë ngjitur me gardhin e kopshtit të 69-vjeçarit, ndërkohë që nga të shtënat është plagosur rëndë shtetasi Elton M. 26-vjeçari është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë për trajtim mjekësor ku edhe ndodhet, ndërkohë që 69-vjeçari është ndaluar. Ai ka shpjeguar për policinë se kishte si objektiv vrasjen e qenve rrugaçë, por nga humbja e kontrollit të armës ka shtënë mbi të riun. Sipas burimeve policore, i plagosuri është lënduar rëndë dhe për këtë arsye është nisur me urgjencë drejt Tiranës. Në vendngjarje kanë mbërritur agjentët e policisë dhe kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes ku dhe kanë mbledhur prova për ngjarjen. Të gjithë historinë e ka rrëfyer vetë 69-vjeçari, i cili ka qenë dhe i pari që ka lajmëruar ambulancën për të transportuar të plagosurin. Qentë rrugaçë janë shndërruar në një problem për banorët e Durrësit, për shkak të shtimit të tyre dhe sëmundjeve që mbartin. Por kësaj here duket se ata janë shndërruar vërtet në kërcënim serioz, ku për pak humbi jetën një shtetas.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›