E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qemali: Ne ndihemi otomanë, dëshira e vetme të bashkëpunojmë

Il Piccolo 27.08.1912

Në sallën e pritjes të “Palace Hotel” e gjitha në gjysmëhije, një orkestër e vogël vjeneze luan të përjetshmen “Ëndërr e një valceri” dhe 5 Fez turq që lëkunden nën muzikën duke pëshpëritur në një qoshe. Midis atyre pesë Fez-ëve njëri është veçanërisht interesant, në këto momente incidentesh turko-malazeze dhe lëvizjesh shqiptare: Fez-i i Ismail Qemalit, deputet i Beratit në ish-parlamentin osman, armik i betuar i Turqve të Rinj, me gjak të pastër shqiptar. Mundohemi ta afrojmë duke i prezantuar nga kamerieri kartëvizitën tonë dhe vëmë re një farë lëvizjeje midis kapelave të kuqe. Na duket se tani nuk po lëkunden më në bazë të muzikës së “Ëndërr e një valceri” si më parë dhe kuptojmë se mbi mundësinë për të na pritur ka mospajtim. Më në fund më i vjetri prej tyre ngrihet, vendos Fezin dhe na afrohet. Është një plak i hijshëm rreth të 60-tave, me flokë të thinjur, me mjekër dhe mustaqe të bardha përreth një buzëqeshjeje. Po ashtu buzëqeshnin edhe sytë e tij të vegjël ngjyrë gri prapa syzeve të arta. Kur afrohet, e përshëndesim në italisht. Na përgjigjet në turqisht. Por përshëndetja e sjellshme i ngrin në buzë. Mbase Ismail Qemali e njeh mjaftueshëm gjuhën tonë dhe përshëndetja turke i doli pa u menduar? Pikërisht kështu. Prej 20 vitesh i bie rrotull Evropës. Tani vjen nga Nica ku ka familjen, pasi ka kaluar Italinë dhe ka ardhur në Trieste, ku një tjetër shqiptar i njohur, princi Bib Doda shkon dhe vjen dhe ku në këto ditë shumë prej prijësve të atdheut kanë bisedime të gjata.
“Si mund t’ju shërbej?”- na pyeti Ismail Qemali.
“Na thoni se çfarë po bëni në Trieste.”
“Unë? Asgjë. Po pres postën që duhet të vijë nga Korfuzi për të ditur nëse duhet të kthehem në Nice apo të shkoj në Kostandinopojë. Asgjë politike në qëndrimin tim në Triesten e bukur. Ju jap garanci absolute. Përndryshe nuk do t’iu kisha pritur ose do t’iu thosha që nuk ju përgjigjem.”
“Por përsëri edhe tek dyshimi juaj nëse duhet të ktheheni në Nicë apo të vazhdoni për në kryeqytetin osman më duket...”
“Kuptoj. Por më lejoni fillimisht t’ju shpjegoj arsyen e vërtetë të lëvizjeve të fundit shqiptare. Do të kuptoni si dhe pse sot ndodhem totalisht me pushime.”
Në këtë moment Ismail Qemali vuri re që ishim akoma në këmbë dhe që orkestra nuk po pushonte. Dy gjëra pak të përshtatshme për të shpjeguar dhe për të kuptuar një situatë politike dhe na u lut të ngjitemi tek apartamenti i tij privat. Aty ndodhej një tavolinë e madhe e mbushur me gazeta dhe letra që na bëri të kuptojmë se posta kishte mbërritur.
I intervistuari ynë rifilloi: “Duhet mbi të gjitha të mos ngulmohet për të parë te lëvizjet shqiptare, një qëllim secesionist . Përkundrazi, ne ndihemi sinqerisht otomanë dhe dëshira jonë e vetme është të bashkëpunojmë, mundësisht për të shpëtuar perandorinë nga ndarja tek e cila do ishte pakthyeshmërisht e dënuar me një Qeveri absolute. Turqia është një perandori e përbërë nga shumë kombe, ashtu siç është dhe perandoria austriake. Por këto kombe në Turqi janë të shtypura. Nga kjo gjendje rrjedh një rrezik për ne shqiptarët, ashtu si dhe për grekët dhe për të gjithë jo turqit. Do të thotë që në rast të një ndarjeje të brendshme,- dhe unë uroj që kjo të mos ndodhë kurrë,- papërvoja jonë për t’u qeverisur do të na bënte pre të lehtë për ndonjë shtet tjetër. Kështu unë besoj se lëvizja “e kokave” e përfunduar, ishte shumë e gëzueshme për ne ashtu si për gjithë perandorinë dhe për atë, të gjitha kombet duhet të na jenë mirënjohës.”
“Po kjo lëvizje vërtet ka përfunduar?”
“Sigurisht. Kabineti i “kokave” i formuar, edhe pse mund të themi akoma jo i përfunduar dhe i konsoliduar, mund të mburret me njerëzit me të mëdhenj, më të kujdesshëm dhe më autoritarë të perandorisë. Ai ka deklaruar solemnisht për njohjen e të gjitha të drejtave individuale dhe kolektive dhe ne nuk kemi arsye për të dyshuar. Kryetari i këshillit të shtetit, Qamil Pasha që është prej vitesh një mik i sigurt i imi, jep besueshmëri për këtë. Por sigurisht që nëse do të kthehej reagimi, (kështu e quan ai regjimin Turqit e Rinj), Shqipëria do të ringrihej me një energji të re e më të dhunshme.”
“Lëvizja, - vazhdoi i intervistuari ynë, - ka përfunduar dhe për një arsye tjetër, atë për të cilin kishte marrë fillin të rrëzonte Turqit e rinj që nuk ditën të evitonin një luftë lehtësisht të evitueshme dhe e vazhduan me një mendjelehtësi të qëllimshme.”
“Dhe meqë ju përmendët luftën me Italinë, jam kurioz për t’iu pyetur se çfarë mendoni për këtë?”
“Nuk është e lehtë dhe ndoshta do të ishte e papërshtatshme të shprehja një bindje të plotë që duke parë rrënjët e mia fisnore mund të dukej e njëanshme. Si turk mund vetëm të dënoj një atentat kundër integritetit të atdheut tim. Por e përsëris, lufta mund të shmangej lehtësisht dhe shtoj se do të ishte evituar nëse qeveria e Turqve të rinj të mos kishte ngacmuar kundërshtitë politike që ashpërsuan Italinë.
Të bësh parashikime tani është e pamundur. Unë mendoj se në interes të përbashkët të të dy kundërshtarëve është paqja. Sigurisht për atë që më intereson, Turqia, mendoj se paqja do të imponohet.
Si të arrihet kjo? Me sakrifica nga të dyja palët. Një lufte e deklaruar dhe e vazhduar në kushtet aktuale, nuk mund të përfundojë ndryshe dhe nëse një zgjidhje nuk gjendet në kohë, bilanci i sakrificave do të rëndojë gjithnjë e më shumë për vendin tim.
Sipas mendimit tim,- përfundoi Ismail Qemali,- duhet që Qeveria të konsolidohet përfundimisht dhe të interpelojë vendin mbi platformën ekskluzive të vazhdimit apo përfundimit të luftës. Dhe unë mendoj se turqit e rinj janë mposhtur tashmë dhe një dyshim mbi të kundërtën është i pamundur.”
“Po për konfliktin me Malin e Zi? – e pyetëm.”
“Nuk më duket, - na u përgjigj, - se incidenti ka shumë rëndësi. Në një moment kur e gjithë Evropa dëshiron paqen dhe në të cilin as Turqisë vetë njëfarë pushimi nuk do t’i vinte keq, të flasësh për një luftë të re më duket e tepruar.”
“Ju na thatë që lëvizja shqiptare ka pasur si qëllim të vetëm të njihte të drejtat e kombeve të ndryshme të Stambollit.
Mirë, çfarë mendoni për fatin e ishujve të Egjeut që kanë shfaqur tashmë dëshira për shkëputje?”
“Pikërisht për atë që thashë me parë... dëshiroj të mos përgjigjem.”
Dhe Ismail Qemali na la të kuptonim se atje poshtë në sallonin e pritjes gjysmë të errët, nën tingujt e orkestrës së vogël vjeneze, 4 fezet e tjerë të kuq prisnin rikthimin e tij…

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›