E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ura rrezikon jetën e dy mijë banorëve



MAT - Ura e Batrrës lidh fshatrat e komunës Komsi me qytetin e Burrelit. Ka kaluar afro një vit që kur nisën punimet për ndërtimin e një ure të re, por, dhe sot e kësaj dite gjendja e urës tip pasarelë është e njëjtë. Sa herë mbi të kalojnë banorët e fshatit, sidomos fëmijët që shkojnë në shkollë, ura lëkundet dhe njerëzit përballen çdo ditë me rrezikun për jetën e tyre. Pavarësisht premtimeve të shumta se ura do të përfundonte së ndërtuari, që prej një viti asgjë nuk ka ndryshuar, ndërsa banorëve nuk u ka mbetur gjë tjetër veçse të presin premtimet e ardhshme me besimin që gjendja do të ndryshojë e jeta e tyre do të jetë më e sigurt. Pranë urës ekzistuese kanë mbërritur panelet për ndërtimin e urës së re, por për mungesë fondesh komuna Komsi nuk ka ndërtuar këmbët e saj. Vështirësitë më të mëdha krijohen kur prurjet e lumit poshtë urës rriten për shkak të shirave të cilat shkaktojnë rrëshqitje dheu. Banorët e fshatrave thonë se janë ankuar disa herë në komunë, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Banorët e Batrrës së Madhe dhe të Vogël janë shprehur se në zgjedhjet e ardhshme, lokale apo politike nuk do të marrin pjesë në se ura nuk ndryshon. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›