Rama: Komuna e Kasharit, pjesë e zhvillimit absurd
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka fajësuar drejtuesit e Komunës së Kasharit për situatën kaotike në të dyja anët e rrugës hyrëse në kryeqytet.
Ndërmarrja e Punëtorëve Nr. 1 ka vijuar me mbjelljen e rreth 400 pemëve të llojit rrap, në të dyja anët e segmentit rrugor nga Kthesa e Kamzës deri tek Instituti Bujqësor, pjesë e njësisë nr. 11. Kryebashkiaku Rama, duke vlerësuar forcimin e përmasës së gjelbër në kryeqytet, me qëllim rritjen e cilësisë së mjedisit, theksoi ndër të tjera se “një nga shumë absurditetet e administrimit të territorit ka bërë që në të dyja anët e kësaj rruge të vazhdojë një zhvillim absurd, i udhëhequr nga komuna fqinje e Kasharit, ndërkohë që rruga është nën kujdesin e bashkisë dhe në këtë rrugë ne sot po mbjellim 400 pemë, të cilat pa dyshim do i japin hijeshi dhe do rrisin cilësinë e mjedisit në këtë hyrje dhe dalje të rëndësishme të Tiranës”.
Vetë opinioni i qytetarëve në “Transparencën 2009” e ka renditur gjelbërimin e qytetit ndër prioritetet më të rëndësishme në punën dhe politikat e Bashkisë së Tiranës. Një nga objektivat që synohet të arrihet përmes shtimit të sipërfaqeve të gjelbra në kryeqytet është rivitalizimi mjedisor i qendrave urbane.
“Krahas rrugëve të rikonstruktuara, infrastrukturës së përmirësuar, puna dhe politikat e bashkisë për gjelbërimin e kryeqytetit tonë është një tjetër komponent tejet i rëndësishëm, që synon ta kthejë Tiranën e nesërme, një Tiranë edhe më të pastër e të gjelbëruar dhe si rrjedhojë një metropol të vërtetë të standardeve dhe vlerave europiane në vend”, u shprehën përfaqësuesit e bashkisë më të madhe në vend.
#