“Qendra Tregtare e Malit të Zi”, modeli i partneritetit publik-privat
Në Podgoricë të Malit të Zi është hapur një qendër tregtare, e cila është bërë stacion promovimi për shumë lloje biznesesh, që plotësojnë standarde perëndimore. Gintash group, Gintashmont AD dhe Bashkia e Podgoricës janë investitorët e qendrës më të madhe tregtare në Podgoricë, “Qendra Tregtare e Malit të Zi”. Projekti është kryer sipas modelit Partneritet Publik Privat (PPP) dhe është projekti PPP më i madh dhe me i suksesshëm i zbatuar ndonjëherë në Malin e Zi. Në përfundim të fazës së parë, kompleksi “Green Bazaar” është hapur për publikun në prill të vitit 2008. I gjithë projekti “Qendra Tregtare e Malit te Zi“, është dizajnuar në mënyrë të tillë që të plotësojë të gjitha nevojat ditore të konsumatorëve. “Green Bazaar” ofron produkte ushqimore dhe jo ushqimore në kushte shumë moderne dhe higjienike. Faza e dytë dhe e tretë - qendra tregtare dhe hoteli, më shumë marka lokale dhe ndërkombëtare, do të konsistojë në butikë mode, hipermarket, bowling, zona e argëtimit, dyqane të ndryshme, të cilat me një ambient të këndshëm familjar do të ofrojnë një gamë të gjerë produktesh me çmime shumë konkurruese. Edhe ambientet e hapura, si p.sh. sheshi “Gintash”, i dizajnuar si një shesh me elemente të tilla si trotuare, stola dhe mure uji do të përbëjnë vendin ideal për organizimin e aktiviteteve sociale dhe kulturore. Tarraca mbi Café Bar-in në sheshin “Gintash” është ndërtuar në mënyrë të tillë që të shërbejë edhe si skenë për koncerte dhe aktivitete të ngjashme. Për ndërtimin e kësaj qendre janë përdorur materiale të cilësisë më të lartë, ndër të cilat disa prej tyre përdoren për herë të parë në Mal të Zi.
I gjithë objekti karakterizohet si një ndërtesë “e zgjuar“ me sisteme automatike të integruara me elektricitet të voltazhit të ulët, si dhe elementë sigurie për zjarrin dhe mbrojtjen ndaj tij. Garazhi nëntokësor me një kapacitet prej 400 vendesh është i gjithi i mbuluar me sistem lajmërues për monoksidin e karbonit dhe dioksidin e karbonit. Sistemi i ventilimit është automatik dhe përfshin ventilatorë modernë me një kapacitet prej 360.000 m3/orë. Kapaciteti i transformatorëve elektrikë të objektit është afërsisht 44MVA, ndërkohë që kapaciteti i gjeneratorëve është afërsisht 2.3 MVA. Në objekt janë të integruar 4 ashensorë të mëdhenj, 4 shkallë elektrike dhe 10 ashensorë të tjerë të gjitha të prodhuara nga Kone dhe Thyssen Krupp. Ashensorët për klientët dhe shërbimin janë të ndarë në mënyrë të sofistikuar. Hoteli ka një sipërfaqe prej 9.400 m2: 90 dhoma duke përfshirë 9 apartamente dhe 3 apartamente për personat me aftësi të kufizuara, restorantin, qendrën fitness, spa, sallonin e bukurisë dhe klubin e natës. Përveç kësaj, pjesë e këtij hoteli do të jetë dhe salla e mbledhjeve me sipërfaqe 1200 m2, salla e konferencës me kapacitet 250 vende, 4 dhoma mbledhjesh dhe salla e koktejeve. I gjithë investimi në “Qendrën Tregtare të Malit të Zi“ kap vlerën e 40 milionë eurove. Ky projekt ka pasur vëmendjen e shumë institucioneve financiare ndërkombëtare dhe është mbështetur me kredi nga IFC (pjesë e Bankës Botërore). Markat lokale dhe ndërkombëtare kane treguar një interes të veçantë për të qenë pjesë e kësaj qendre, ku një vend nderi zë “Mercator” me një sipërfaqe prej 4500 m2, ndërkohë që pjesë e kësaj qendre do të jenë edhe Cosmetics market, Donator, Intersport, NLB Montenegrobanka, Sonic, Ozdilek dhe shumë marka të tjera më të vogla, po jo më pak të rëndësishme. Qendra tregtare do të hapë dyert në mes të nëntorit 2009, ndërkohë që përurimi final do të jetë në shkurt të vitit 2010. Ndërkohë, hapja e hotelit do të bëhet në prill të vitit 2010. “Ne jemi krenarë që po përfundojmë këtë projekt kaq të rëndësishëm, prej të cilit shumë persona do të kenë mundësinë të punojnë, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies në Podgoricë”, - është shprehur në emër të kompanisë, Nexhip Naxhi Dogru, kryetar i Bordit Drejtues.