Itali; Hapet shkollë shqipe në Parma
24 tetori ishte një ditë e mrekullueshme në radhët e komunitetit shqiptar, por edhe vendasve në Parma të Italisë. Shoqata “Scandebeg” e drejtuar nga Durim Lika, realizoi një nga objektivat më ambiciozë qysh nga formimi saj: krijimin e shkollës shqipe. Dhjetëra fëmijë të shoqëruar nga prindërit dhe gjyshërit morën pjesë në këtë ceremoni solemne. Të pranishme ishin edhe autoritetet e Komunës së Parmës: Dott. Lasagna, drejtor i Shërbimeve Sociale në Komunën e Parmës; Gabriela Biacchi, - anëtare e Këshillit Bashkiak të komunës. Ishte ftuar personaliteti arbëresh Pepino Pompò; miku dhe njohësi i Shqipërisë, prof. Roberto dall'Asta. Në fillim, presidenti i kësaj shoqate, z. Durim Lika, bashkë me stafin drejtues të shoqatës, u uroi mirëseardhjen të gjithëve, duke u ndalur tek rëndësia që ka kjo shkollë për fëmijët shqiptarë si dhe falënderoi të pranishmit që ishin në këtë ceremoni. Zoti Lika falënderoi veçmas Komunën e Parmës për mbështetjen e kësaj nisme. Në hapjen e kësaj shkolle për mësimin e shqipes, morën mesazhe falënderimi nga shkolla “Bajram Curri” në Durrës dhe veçanërisht nga drejtoresha e saj, znj. Fatmira Mulliqi. Më pas, drejtoresha e shkollës "Scanderbeg", znj. Anila Kadija, paraqiti programin dhe prezantoi mësueset e kësaj shkolle: Brunilda Hoxha, Ardiana Rushiti, Linda Pjeçi, të cilat folën për përvojën e tyre në mësimdhënie. Burimet thonë se janë regjistruar 15 fëmijë, por shumë të tjerë pritet të ulen në bankat e shkollës në ditët në vijim.
Shkolla “Bajram Curri” në Durrës dhuroi bazë të madhe materiale, si libra dhe cd. Po kjo shkollë dërgoi 50 kartolina urimi, me thënie të ndryshme për gjuhën shqipe nga figura të shquara shtetërore. Alba Computer dhuroi çantat e shkollës, fletore dhe stilolapsa. Shpend Ndreu dhuroi libra të blerë në Shqipëri enkas për këtë shkollë
Brunilda Hoxha dhuroi libra të blerë në Shqipëri enkas për këtë shkollë. Në ditën e parë prindërit e fëmijëve sollën pije dhe ëmbëlsira për të pranishmit dhe 15 nxënësit që ulen për herë të parë në bankat e shkollës për të mësuar shqip në një vend të huaj.