E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendra e Korçës, si ajo e Tiranës- e “pushton” kaosi i trafikut

05-07-2011 / Gazeta 55

Problemet urbane të qytetit Korcës duket se s’kanë të përfunduar teksa pushteti vendor e ka katandisur qendrën e qytetit bashkë me bulevardin “Republika”, në një katrahurë të vërtetë, teksa në shumë aspekte i shëmbëllen qendrës së Tiranës. Problemet gjithnjë në rritje me trafikun e automjeteve, shqetësimi i qytetarëve për tjetërsimin e bulevardit qendror dhe kthimi i qendrës së qytetit në llogore të pakalueshme, kanë qenë cështjet e ngritura nga prefekti Andrea Mano, duke i kërkuar shpjegime pushtetit vendor për katrahurën që ka gatuar. Por, bashkia socialiste e Korcës vazhdon të bëjë “memecin”. Fillimi i sezonit turistik dhe kthimi i emigrantëve, kryesisht atyre që jetojnë dhe punojnë në Greqi, ka shtuar ndjeshëm numrin e mjeteve në qarkullim në Rajonin e Korçës. Për të menaxhuar fluksin e mjeteve si në akset nacionale, ashtu edhe në qendrat e qyteteve kryesore, policia e qarkullimit ka intensifikuar masat dhe ka rritur numërin e njësive të patrullimit. Si rezultat i kësaj, qarkullimi në akset që lidhin Korçën me Kapshticën dhe Qafë Thanën, pavarësisht mbingarkesës, trafiku është brenda parametrave normal edhe në orët e pikut.
Duket se më problematike paraqitet situata në qytetin e Korçës, sidomos në qendër, ku ngushtimi i bulevardit Republika nga ana e bashkisë, vështirëson lëvizjen e mjeteve në të dyja kalimet, duke krijuar kaos në trafik. Përforcimi i masave, të cilat synojnë garantimin e sigurisë rrugore,bëjnë të ditur drejtuesit e Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore, lidhet jo vetëm me shtimin e mjeteve në qarkullim, por edhe me faktin se muajt e verës shënojnë numer të lartë të aksidenteve automobilistike.
Për të rritur sigurinë në rrugë dhe parandaluar ngjarjet aksidentale, policia e qarkullimit bën monitorimin e akseve nacionale përgjatë 24 orëve, duke filluar nga pikat doganore të Kapshticës dhe Qafë Thanës,të cilat përballojnë edhe fluksin më të madh të lëvizjes së mjeteve.
Policia e qarkullimit rrugor në bashkëpunim me drejtorinë e rrugëve nacionale janë duke duke diskutuar edhe hartimin e një grafiku, ku do të përcaktohet orari i lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë,me qëllim që ato të mos vështirësojnë lëvizjen e mjeteve të tjera.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›