Vendimi Gjykatës: Holanda përgjegjëse për masakrën e Srebrenicës

Një gjykatë e apelit në Holandë sot ka publikuar vendimin sipas të cilit Holanda është përgjegjëse për vrasjen e myslimanëve në Bosnjë, gjatë masakrës në Srebrenicë, në vitin 1995
Gjykata ka gjetur se qeveria e Holandës është përgjegjëse për vrasje, sepse siç ka shpjeguar zëdhënësja e gjykatës, paqeruajtësit holandezë të vendosur atje “nuk do të duhej t’i dorëzonin shtetasit boshnjakë” te forcat shoviniste serbe të Bosnjës. Gjykata ka urdhëruar që familjeve të viktimave t’u paguhet kompensim. Srebrenica ishte “bazë e sigurt” e deklaruar nga Kombet e Bashkuara, nën mbrojtje të paqeruajtësve holandezë, kur serbët e Bosnjës e kishin pushtuar qytetin dhe në mënyrë sistematike i kishin vrarë afro 8 mijë djem e burra myslimanë.
Rasti në gjykatën e apelit ishte ngritur nga Hasan Nuhanoviq, përkthyes, që në masakër kishte humbur vëlluan dhe babanë, dhe farefisi i viktimës së Srebrenicës, Rizo Mustafiq.
Vëzhguesit thonë se vendimi mund të ndikojë që edhe viktimat e tjera të kërkojnë kompensim nga Holanda.