E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet vrasësi i dehur pas 16 orë negociatash



KORÇË – Pas rreth 16 orë kërkimesh dhe negociatash, policia e Korçës arriti të prangosë autorin e vrasjes së kushëririt dhe të plagosjes së një gruaje, në fshatin Podgorie të Rrethit të Korçës. Burimet zyrtare të Policisë së Korçës bëjnë të ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm u bë e mundur që të arrestohet shtetasi Reshit Adri, pas një operacioni të mirorganizuar nga forcat e policisë së Korçës, të cilat u ndihmuan edhe nga specialët e RENEA-s.
Arrestimi
Përgjatë gjithë natës deri në mëngjesin e së martës, 53-vjeçari ka qëndruar i fshehur në një pyll, në fshatin Podgorie. Forcat e policisë së Korçës kanë shkuar në vendngjarje dhe me ndihmën e forcave të policisë së Pogradecit dhe Devollit kanë rrethuar pyllin. Sipas të dhënave të para, negociatat me të shumëkërkuarin kanë vazhduar gjatë gjithë natës pasi ai kishte marrë me vete edhe armatim për t’u mbrojtur nga policia. Madje, ai ka qëlluar disa herë në drejtim të policisë, duke rrezikuar jetën e efektivave blu. Të ndodhura në këtë situatë, forcat e Komisariatit të Korçës kanë kërkuar ndihmën e specializuar të forcave të RENEA-s nga Tirana. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas ndërhyrjes së RENEA-s, është arritur t’i vihen prangat Reshit Adrit. Në momentin e arrestimit, autorit të vrasjes iu sekuestrua një granatë dore, një automatik kallashnikov, me të cilin dy ditë më parë kreu vrasjen në fshatin Podgorie, si dhe një çantë me fishekë. Policia konfirmoi se 53-vjeçari vuante nga një depresion i thellë mendor pas vetëvrasjes së djalit të tij.
Vrasja
Të hënën pasdite, rreth orës 17:00, i rënë në depresion dhe në gjendje të dehur, Reshit Adri mori kallashnikovin dhe doli në mes të fshatit Podgorie, të Komunës Vreshtas, rreth 20 kilometra larg qytetit të Korçës, duke qëlluar kuturu dhe duke shkaktuar terror në fshat. Plumbat ekzekutuan bashkëfshatarin e tij të pafajshëm, njëkohësisht i afërm i tij, Lulzim Laze, 41 vjeç, si dhe plagosën rëndë një grua. Viktima Laze ka qenë duke iu afruar shtëpisë së vet kur ka mbetur i vdekur në vend. Ai është transportuar për në morgun e Spitalit të Korçës, ndërsa bëhet e ditur se ka marrë katër plumba në kraharor. Burimet policore, por edhe të afërm të 53-vjeçarit, pohojnë se autori i krimit ka pasur probleme mendore që pas vetëvrasjes së djalit të tij. Tashmë shtetasi Reshit Adri akuzohet për veprat penale të vrasjes, armëmbajtjes pa leje dhe kërcënim të forcave të rendit. Dosja në ngarkim të tij i ka kaluar prokurorisë së rrethit.

Lirohet studentja që plagosi ish-të dashurin në auditorin e universitetit

VLORË – Me një urdhër që lëshoi dje Prokuroria e Vlorës u lirua nga qelitë dhe po hetohet në gjendje të lirë studentja që plagosi në mes të universitetit ish-të dashurin e saj. Burimet zyrtare në organin e akuzës shprehen se pas vetëdorëzimit të Lediana Zekajt në komisariat dhe kallëzimit të krimit të kryer prej saj, Prokuroria e Vlorës e ka nxjerrë atë duke e lënë në hetim në gjendje të lirë. Ajo ka deklaruar mbrëmjen e së hënës para grupit hetimor se e kishte qëlluar me thikë Klaudio Kamberajn ndërsa mbante në çantë edhe një kaçavidë, sepse, siç tha, nuk e duronte dot. Sipas dëshmisë, Kamberaj e ofendonte shpesh, i kërkonte para, etj.. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Vlorës ka marrë vendimin që 20-vjeçarja Zekaj të hetohet në gjendje të lirë. Ndërsa i riu Klaudio Kamberaj është jashtë rrezikut për jetën pas plagës së marrë nga goditja me thikë.

Furgoni i bankës përplas 23-vjeçarin me motor

FIER - Një 23-vjeçar, teksa po shkonte në punë me motoçikletën e tij, është aksidentuar rëndë mëngjesin e djeshëm nga përplasja me një furgon, i cili transportonte lekët e një prej filialeve të një banke private operuese në Fier. Aksidenti ka ndodhur në rrugën Fier- Ballsh, 3 kilometra larg qendrës së qytetit, në afërsi të vendit të quajtur Kthesa e Portëzës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se 23-vjeçari Aurel Elezi ishte duke udhëtuar me motoçikletën e tij pa targa për në drejtim të punës, një pikë servisi automjetesh. Rreth orës 07:00, Elezi ka dalë nga rrugica e fshatit ku jeton prej disa vitesh dhe ka tentuar të hyjë në rrugën kombëtare Fier-Ballsh. Duke mos qenë i vëmendshëm për të parë rrugën në të dy drejtimet, motoçikleta që drejtonte 23-vjeçari ka tentuar të hyjë në aksin kombëtar, por është përplasur fort nga një furgon i markës “Ford”, me targa FR 1581 D, i drejtuar nga Luan Saliaj. Si pasojë e përplasjes, motoçikleta është hedhur në një lartësi prej afro 10 metrash, ndërkohë që drejtuesi i saj Aurel Elezi është plagosur mjaft rëndë. Mësohet se Luan Saliaj, një ish-efektiv i Policisë Rrugore në Komisariatin e Fierit, ka marrë me automjete të rastit të plagosurin 23-vjeçar dhe e ka çuar atë në Spitalin e Fierit. Policia ka ndaluar 45-vjeçarin Luan Saliaj në mjediset e Spitalit të Fierit, ku ai priste për t’u informuar për shëndetin e të aksidentuarit. Në lidhje me këtë çështje kanë nisur hetimet, ndërsa i lënduari ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Rikthehet i ftohti, në zonat e Veriut probleme me qarkullimin

Është rikthyer i ftohti, ndërkohë që situata vazhdon të mbetet problematike në zonat e veriut të vendit. Burimet zyrtare të Shërbimit Meteorologjik parashikojnë se gjatë orëve në vazhdim pritet një ulje e ndjeshme e temperaturave, të cilat do të arrijnë deri në –6 gradë celsius. Po ashtu, moti i ftohtë do të shoqërohet me reshje dëbore në lartësi dhe me shira në zonën e Ultësirës Perëndimore. Fundjava pritet të nisë me mot të kthjellët, por një tjetër sistem vranësirash pritet të shfaqet
përsëri të dielën. Ndërkohë, në rrethin e Pukës vazhdon të ketë vështirësi në qarkullimin e mjeteve për shkak të akullit që mbizotëron në pjesën dërrmuese të rrugëve. Trashësia e akullit i ka kaluar 4 centimetrat, duke u bërë kështu një rrezik serioz veçanërisht për mjetet që kalojnë pa zinxhirë. Problematik mbetet aksi Shkodër-Pukë, ku dhjetëra automjete u bllokuan si shkak i ngricave në rrugë gjatë dy ditëve të kaluara. Ndërsa një autobus me pasagjerë kosovarë doli nga rruga dje në mesditë, duke shkaktuar lëndimin e njërit prej pasagjerëve që gjendej në fund të autobusit. Pasagjeri i dëmtuar është dërguar në spital, ndërsa policia rrugore ka ndihmuar mjetin të rikthehet në rrugë duke e shoqëruar atë deri në Kukës.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›