Rama: Kutitë e votimit kanë rrënjët e së keqes
Kreu socialist Edi Rama mori pjesë për herë të parë në një nga protestat që kanë nisur në nivel lokal në të gjithë vendin. Rama ishte me banorët e lagjes Kënetë në Durrës, ku në qendër të fjalës së tij ishte korrupsioni elektoral dhe kriza ekonomike. "Kutitë e votimit nuk janë një pronë për të cilën zihen dy palë, kutitë e votimit kanë brenda rrënjët e së keqes që ka pllakosur Shqipërinë. Kutitë e votimit kanë brenda rrënjët nga ku buron kriza ekonomike, e cila shkon duke u thelluar, duke krijuar më shumë papunësi, më shumë varfëri, më shumë dëshpërim social", u shpreh Rama. Sipas tij, më 28 qershor vota juaj u grabit. Rezultati i vullnetit tuaj u tjetërsua. Pushteti që doli nga zgjedhjet nuk ishte shprehje e aspiratave, e shpresave dhe e nevojave tuaja, por thjesht mishërim i punës kundër Kushtetutës, kundër ligjit, kundër vullnetit të popullit, të një makinerie shtetërore, që e deformoi vullnetin e popullit. Kreu socialist i ftoi banorët e Kënetës të vijnë në Tiranë, për të kërkuar hapjen e kutive dhe largimin e kësaj Qeverie. "Ju ftoj të gjithëve në protestë, për këtë arsye më 30 prill ne do të takohemi në Tiranë dhe nuk do të ndalemi për të bërë transparencë, për të hapur kutitë, për të larguar Qeverinë, për të ndalur rrënimin ekonomik", u shpreh Rama.