E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: E sigurt që do fitojmë liberalizimin e vizave brenda vitit



Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm, Ilir Meta, dha dje garanci se brenda vitit 2010, shqiptarët do të përfitojnë liberalizimin e vizave. Meta tha se Shqipëria ka realizuar kriteret e kërkuara, ndërsa arritjet konfirmohen edhe nga delegacionet e ardhura në Shqipëri. "Mendoj se eurodeputetja Pak ka dhënë përgjigjen më të mirë. Unë ju kam thënë prej kohësh se Shqipëria jo vetëm ka bërë një progres spektakolar, që njihet nga të gjithë në drejtim të liberalizmit të vizave, gjë që e konfirmoi edhe delegacioni i europarlamentarëve së Evropës Juglindore pak ditë më parë në Tiranë. Absolutisht, është plotësisht e sigurt se Shqipëria dhe shqiptarët do ta fitojnë liberalizimin e vizave brenda këtij viti, pikërisht për shkak të këtij progresi të jashtëzakonshëm, që është bërë në të katër blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave", deklaroi Meta. Ministri i Jashtëm e dha këtë deklaratë pas takimit me Koordinatorin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e Strategjisë për veriun e Kosovës, Ylber Hysa, takim në të cilin Meta konfirmoi se Kosova është e pavarur dhe një realitet i pakthyeshëm. Në këtë takim u vendos theks i veçantë për strategjinë në veri të Kosovës. I pyetur nga media në lidhje me takimin e Presidentit amerikan, Barak Obama, në çeki me liderët e disa prej vendeve ish-komuniste, Meta tha se në atë takim Shqipëria nuk është përjashtuar. "Shqipëria praktikisht nuk ka lidhje me kontekstin e asaj që do të realizohet atje dhe dua të siguroj se marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të janë shkëlqyera", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›