E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendrat e votimit, 506 në ambiente private

17/06/2009  KQZ do të vendosë krijimin e tyre

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë sot për përcaktimin e vendndodhjes së 506 qendrave të votimit në ambiente private, nga rreth 4800 të tilla që do të ngrihen për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë, që do të zhvillohen më 28 qershor. Burime zyrtare nga ky komision konfirmojnë se KQZ-ja ka detyrimin të autorizojë me vendim krijimin e qendrave të votimit në ambiente private. Mbledhja e sotme e KQZ-së, e parashikuar të zhvillohej pasdite, pritet të shoqërohet me debate mes palëve, pasi zgjedhja e ambienteve private për të zhvilluar procesin e votimit në ambiente joshtetërore vë në dyshim sigurinë e zhvillimit të një procesi brenda standardeve. Kodi Zgjedhor në raste përjashtimore parashikon miratimin nga KQZ-ja të ambienteve të veçanta, pasi përparësi u jepet ambienteve publike. “Qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe vendi i numërimit të votave, për aq sa është e mundur, krijohen në ndërtesa publike me hyrje të lirë. Qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe vendi i numërimit të votave nuk mund të krijohen në ndërtesa private, pa autorizimin e veçantë të KQZ-së, në ndërtesa që përdoren nga administrata publike, me përjashtim të institucioneve arsimore, kulturore dhe shëndetësore, ose në ndërtesa që përdoren apo janë në pronësi, pjesërisht ose tërësisht, të një partie politike apo kandidati ose të afërmve të tij”, - thuhet në nenin 93 të ligjit për zgjedhjet. Në debate të kësaj natyre KQZ-ja është përfshirë gjatë diskutimeve për përcaktimin e vendndodhjes së vendit të numërimit të votave. Përzgjedhja nga prefektët e disa ambienteve private ka shkaktuar debate, të cilat kanë shkuar deri në Kolegjin Zgjedhor për të marrë zgjidhje.

Trajnuesit

Ndërkohë dje komisioni kryesor i administrimit të procesit zgjedhor miratoi listën me 214 trajnuesit dhe 6 të tjerëve rezervë në qarqet kryesore për anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Sipas vendimit të KQZ-së, nga lista me 214 trajnuesit e përzgjedhur, 50 për qind e tyre kanë kontribuar në këtë detyrë në zgjedhjet lokale të vitit 2007 dhe në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2005. Ndërkohë që në përzgjedhjen e 50-përqindëshit tjetër KQZ-ja ka marrë parasysh përvojën e punës dhe eksperiencat e mëparshme si trajnues në fushën e zgjedhjeve.

Anëtarët e KZAZ-ve

KQZ-ja miratoi dje gjithashtu vendimin për lirimin dhe emërimin e gjithsej nëntë anëtarëve të KZAZ-ve për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në këtë mënyrë, ky komision vendosi të lirojë nga detyra anëtarët e emëruar dhe të emërojë në vend të tyre propozimet e reja të paraqitura: gjashtë anëtarë nga Partia Republikane; dy anëtarë nga Partia Demokratike dhe një anëtar nga Partia Socialdemokrate. Të drejtën për të propozuar anëtarë të KZAZ-së e kanë edhe katër subjekte zgjedhore: PD, PS, PR dhe PSD.

BMM raporton para KQZ-së

Bordi i Monitorimit të Medies do të publikojë pranë KQZ-së raportin e tretë të monitorimit të fushatës elektorale në operatorët televizive për zgjedhjet e 28 qershorit. Ky komision ka parashikuar që gjatë mbledhjes së mesditës të njihet me rezultatet e monitorimit të ditëve në vijim të fushatës së pasqyruar në mediet televizive për subjektet zgjedhore konkurrente në zgjedhjet e përgjithshme. Para disa ditës BMM u prezantua për herë të parë para KQZ-së me dy raporte të ndryshe për shkak të mosmarrëveshjeve që anëtarëve e bordit përfaqësues të dy partive kryesore politike në vend. Ata nuk bien dakord se cilit subjekt, qeverisë apo Partisë Demokratike duhet të llogariten si minutash televiziv, ato kronika që pasqyrojnë inaugurime rrugësh, siç ishte ai i inaugurimit të rrugës Durrës–Kukës, apo deklarimet për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Ndërkohë në mbledhjen e fundit KQZ-ja rrëzoi kërkesat e disa subjekteve zgjedhore që kërkonin kompensimin e minutazhit nga disa operatorë, që nuk kishin respektuar kohën që u takonte.

Trajnimet

Do të trajnojnë anëtarët e KQV-së 214 trajnues

Qarku

Shkodër - 18 trajnues

Kukës - 10 trajnues

Lezhë - 11 trajnues

Dibër - 13 trajnues

Durrës - 16 trajnues

Tiranë - 36 trajnues

Elbasan - 24 trajnues

Fier - 23 trajnues

Berat - 13 trajnues

Korçë - 18 trajnues

Gjirokastër - 14 trajnues

Vlorë - 17 trajnues

Emërohen anëtarë të KZAZ-ve

Partia Republikane

Berat- Adelina Parangoni

Fier- Enver Hodaj

Korçë- Bashkim Blushi

Korçë- Marsel Telha

Lezhë- Preng Gjonaj

Shkodër- Rrok Miculi

Partia Demokratike

Tiranë- Adriatik Shehu

Tiranë- Eni Fane

Partia Socialdemokrate

Vlorë- Erjon Gucaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›