“Qëndrimet e Daçiç, provokime ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”
Reagon nënkryetarja e LSI, Klajda Gjosha për situatën në Luginë e Preshëvës
LSI dënon deklaratat kërcënuese të Kryeministrit serb ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Nënkryetarja e LSI, Klajda Gjosha në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, shprehu keqardhjen për deklaratat e fundit të Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, përmes të cilave kërcënohet popullsia shqiptare e Luginës së Preshevës me heqjen e monumentit dedikuar dëshmorëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. “I cilësojmë qëndrimet e fundit të Kryeministrit Daçiç si provokime të hapura ndaj popullsisë shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilat nuk janë aspak në linjë me frymën demokratike të Bashkimit Evropian dhe si tërësisht të panevojshme në kontekstin konstruktiv historik ku ndodhet sot rajoni i Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Gjosha. Më pas nënkryetarja e LSI vuri në dukje se, “shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtat e tyre të pakontestueshme që lidhen me lirinë e shprehjes, mbrojtjen dhe kultivimin e identitetit, kulturës, gjuhës dhe vlerave të tyre kombëtare e historike, ashtu siç sanksionohen edhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, dhe shprehim bindjen se ushtrimi i këtyre të drejtave nuk cenon aspak integritetin territorial të Serbisë”. Ndër të tjera LSI vlerësoi se kërcënimi për kufizimin e këtyre të drejtave, është një sinjal negativ për integrimin evropian të Serbisë, ndërkohë që “kushtëzimi i vazhdimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë me heqjen e monumentit në Preshevë, nuk i shërben aspak klimës së fqinjësisë së mirë dhe mbarëvajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tone”. Gjithashtu, nënkryetarja Gjosha nënvizoi se “forcimi i paqes dhe mirëkuptimit në Luginën e Preshevës vjen përmes rritjes së investimeve dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, jo përmes shantazheve dhe lëndimit që u bëhet ndjenjave kombëtare të shqiptarëve në jugun e Serbisë”. Në fund të deklaratës, nënkryetarja e LSI apeloi Kryeministrit serb Daçiç për tërheqje nga deklarata të tilla provokuese, dhe inkurajon përfaqësuesit e zgjedhur të faktorit shqiptar në Serbi të reagojnë me përgjegjshmëri dhe pjekuri demokratike ndaj çdo lloj kërcënimi, duke shpresuar njëkohësisht se qetësimi i situatës do t’i shërbente avancimit të axhendës evropiane të të gjithë rajonit.
...