Policia paralajmëron sekuestro të 66 mjeteve: “Merreni brenda 10 ditësh!”
DURRËS – Nëse pronarët nuk do t’i marrin mjetet e tyre brenda 10 ditësh, 66 mjete të bllokuara javët e fundit nga policia e Durrësit do të kalojnë në rezervat e shtetit. Njoftimi është dhënë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, e cila u ka dhënë afate drejtuesve të makinave që ndodhen të bllokuara në Rrashbull. Automjetet janë bllokuar kryesisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por qëndrimi i tyre për një kohë të gjatë në pikën e bllokimit ka një kosto të lartë për strukturat e policisë. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut bënë të ditur se përveç bazës ligjore të mjaftueshme, zbatimi i Udhëzimit Nr.160, datë 25.01.2007, për “Procedurat e ndalimit, sekuestrimit dhe konfiskimit të mjeteve për kundravajtje administrative”, mundëson sekuestrimin përfundimtar të automjeteve që qëndrojnë prej muajsh në këtë pikë, 5 km larg Durrësit. Pronarët e automjeteve duhet të paraqiten së bashku me dokumentacionin e duhur pranë zyrave të Policisë Rrugore në Durrës për të kryer procedurat dhe për të tërhequr automjetet brenda një afati 10-ditor, - thanë burimet e policisë.
Afro 1000 autovetura dhe motoçikleta, të ndaluara për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, janë bllokuar prej vitesh në Durrës. Ato janë ruajtur nga forcat e policisë në dy sheshe. Mbi 650 automjete të bllokuara ndodhen në mjediset e Repartit Nr.100 në kodrën e Rrashbullit, ndërsa 302 automjete dhe 41 motoçikleta ndodhen në pikën e bllokimit në Shkozet.
E mitura plagos fqinjën, futi bagëtitë në pronën e saj
BERAT – Një 15-vjeçare nga fshati Osman Zezë, i rrethit të Beratit, ka plagosur me armë gjahu fqinjën e saj 43-vjeçare, pasi në pronën e saj kishin hyrë për të kullotur disa bagëti. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi mesditen e djeshme, ku mbeti e plagosur rëndë shtetësja Zahire Torra. Sipas tyre, autore e krimit është e mitura me iniciale M.M.. Menjëherë pas ngjarjes, e plagosura është dërguar në Spitalin Rajonal të Beratit, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë, policia ka rrethuar të gjithë fshatin Osman Zezë, që ndodhet në vijën ndarëse midis Beratit dhe Tepelenës, pasi familjet Torra dhe Mehmeti kanë shfaqur tension mes tyre. Forcat e rendit po mbajnë nën kontroll dy familjet nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme. Autorja e plagosjes, 15-vjeçarja M.M, është ndaluar nga forcat e policisë dhe është shoqëruar në dhomat e paraburgimit të Beratit. Shkaku i grindjes, sipas të dhënave nga organet e rendit, është bërë konflikti i pronësisë pasi 43-vjeçarja Zahire Torra po kulloste bagëtinë në pronat e familjes së 15-vjeçares.
Grekët kthejnë 1230 klandestinë për një muaj
KAKAVIJË - Gjatë muaj shkurt të këtij viti, autoritetet policore greke kanë kthyer pranë pikës së kalimit kufitar të Kakavijes 1230 emigrantë shqiptarë, të gjithë pa leje qëndrimi në shtetin helen. Burime zyrtare nga PKK e Kakavijes thanë se policia greke ka dorëzuar pranë autoriteteve shqiptare 1230 emigrantë të paligjshëm gjatë muajit të kaluar. Ata janë ndaluar në qytete të ndryshme të shtetit helen dhe pas qëndrimit të tyre në dhomat e paraburgimit janë dorëzuar në hyrje të territorit shqiptar, - shprehen burimet zyrtare. Gjatë muajit janar të po këtij viti, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijes janë kthyer nga autoritetet greke 1374 emigrantë të paligjshëm
Arrestohet, ishte dënuar për posedim të dokumentit fals
LUSHNJE – Ishte shpallur në kërkim për përdorimin e një dokumenti identiteti të falsifikuar, por më në fund është prangosur. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se mbrëmjen e së martës u ndalua shtetasi Valter Mustafaj. Sipas tyre, ndaj 25-vjeçarit ishte lëshuar një urdhërndalimi nga prokuroria. Në bazë të këtij urdhri me Nr. 212, të datës 14 dhjetor 2007, ai akuzohej për veprën penale “mbajtje e dokumenteve të falsifikuara”. Për këtë vepër penale, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje e ka dënuar me dy muaj burg, vendim që është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Vlorë.
Shemben 70 ndërtime pa leje për rrugën e re të Kënetës
DURRËS - Inspektorati Ndërtimor pranë Bashkisë së Durrësit nisi dje prishjen e 70 objekteve, të cilat pengojnë përfundimin e rrugës në zonën e ish-Kënetës. Burime zyrtare nga ky inspektorat thanë se shembja e këtyre objekteve do të mundësojë realizimin e plotë të projektit për ndërtimin e rrugës me gjatësi 2 km, e cila përshkon mespërmes zonën informale të ish-Kënetës. Sipas të njëjtave burime, shtatë nga objektet që do të rrafshohen janë shtëpi banimi, të cilat ndodhen në aksin e rrugës me gjerësi 22 metra dhe me katër korsi që pritet të përfundojë së shpejti. Burimet thanë se gjatë aksionit që do të vazhdojë disa ditë me radhë do të prishen edhe 63 objekte të tjera si mure rrethuese, kioska dhe garazhe, të ngritura vitet e fundit në lagjen më të re të qytetit bregdetar.
6 Mars 2008