E Diel, 1 Nëntor 2026

Masivi i kromit zë brenda minatorin, mbeten në mes të rrugës katër fëmijë

Vdes aksidentalisht Përparim Alikaj në një minierë në Krastë të Martaneshit. Dyshime se nuk janë respektuar kushtet dhe siguria teknike nga firma private
MARTANESH – Sërish viktimë në minierat e kromit në veri të Shqipërisë, duke e çuar në nëntë numrin e të vdekurve brenda një periudhe shumë të shkurtër. Rreth mesditës së djeshme është shënuar një aksident tragjik në njërën nga galeritë e minierës së kromit në fshatin Thetë të Komunës së Martaneshit, ku shtetasi Përparim Haslika gjeti vdekjen. Burimet në policinë vendore bëjnë të ditur se teksa 35-vjeçari ndodhej në thellësinë 100 metra nën tokë, është shkëputur masivi i gurtë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Megjithë ndihmën e dhënë nga kolegët e tij minatorë, nuk është bërë e mundur që ai të mbijetonte. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia, e cila ka bërë ekspertizën e vendit të ngjarjes për gjetjen e shkaqeve të aksidentit vdekjeprurës.
Aksidenti
Minatori Përparim Haslika, babai i katër fëmijëve, ka shkuar dje si çdo ditë në punë duke hyrë në front në orën 08. 00 të mëngjesit. Teksa ishte duke gërmuar në minierën e kromit, pronë e një firme private, në një thellësi rreth 100 metra, është shembur një sasi e madhe minerali. Përparimi është gjetur i papërgatitur dhe për momentin nuk e ka parë masivin që po rrëshqiste. Copat e rënda të kromit kanë rënë mbi trupin e 35-vjeçarit, duke e zënë brenda. Burime në vendngjarje pohojnë se ai ka gjetur vdekjen menjëherë. Sipas policisë së Bulqizës, Haslika është nxjerrë nga grumbulli i mineralit prej kolegëve të tij të punës që ndodheshin në galeri në të njëjtin front. Trupi i pajetë i 35-vjeçarit është dërguar në Morgun e Spitalit të Bulqizës.
Hetimet
Policia e Matit mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe nisi hetimet për shkaqet që çuan në aksidentin vdekjeprurës. Nga hetimet paraprake mendohet se shkak i aksidentit ka qenë mosmarrja e masave të sigurisë nga personeli teknik dhe pronarët e minierës, të cilët prej dy vitesh po shfrytëzojnë këtë vendburim minerar. Policia ka marrë në pyetje kolegët e viktimës, si dhe drejtuesit e minierës. Pas vdekjes, Përparim Haslika la jetimë katër fëmijë në moshë të mitur, ndërsa bashkëshortja e tij është e papunë. Burime policore në Bulqizë bëjnë të ditur se viktima ishte nga qyteza e Krastës së Martaneshit. Ai kishte dy vjet që punonte në minierën e fshatit të Thethit, e cila ndodhet 13 kilometra larg qytezës ku banon dhe 40 kilometra larg Bulqizës. Pak javë më parë u nda nga jeta aksidentalisht Njazi Alliu. Kjo është viktima e nëntë brenda një periudhe 14-mujore në minierat e kromit në Qarkun e Dibrës. Megjithë masat e marra dhe protestat e zhvilluara nga sindikatat e minatorëve, sërish kushtet e punës mbeten të vështira. Ato janë bërë shkas për numrin kaq të lartë të aksidenteve.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›