E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëndrimi i PS-së për kartat, Topi shmang komentet

20/04/2009  Presidenti fton qytetarët të aplikojnë për letërnjoftimet

Presidenti i Republikës Bamir Topi ka refuzuar të komentojë mbi qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me pajisjen e qytetarëve me karta identiteti dhe mbi deklarimin e tyre për bllokimin e procesit zgjedhor. Në përgjigje të interesimit të medies, kryetari i shtetit ka ripërsëritur thirrjen e tij për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, duke vënë theksin te bashkëpunimi i të gjitha palëve për realizimin e këtij procesi të domosdoshëm. “Edhe pse ju gazetarët i ngatërroni temat, do të dëshiroja të respektoja këtë tempull të shenjtë e të mos flisja për politikë. Besoj se jam shprehur edhe dje për këtë çështje. Edhe një herë mund t’ju them këtu nga Korça se të gjithë së basku duhet të punojmë intensivisht, për të mos thënë çdo ditë, por çdo orë e çdo minutë, që ky proces të realizohet sa më shpejt. Pra, edhe këtu në Korçë të gjithë duhet të aplikojnë”, - tha Presidenti Topi. Duke nënvizuar rëndësinë që kanë për Shqipërinë realizimi i zgjedhjeve të 28 qershorit brenda standardeve, numri një shtetit shqiptar e lidhi këtë proces me anëtarësimin e vendit tonë në BE. “Të gjitha subjektet politike duhet të futen në fushatë për të arritur synimet e tyre politike, por më e rëndësishme është që pas këtyre zgjedhjeve Shqipëria të fitojë sa më shumë nota të tjera pozitive për të pasur mundësi të shpejta që pas anëtarësimit në NATO të anëtarësohemi edhe në Bashkimin Evropian”, - tha Topi. Partia Socialiste braktisi punimet e seancës së fundit parlamentare në shenjë proteste ndaj dështimit sipas saj të qeverisë për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime. Presidenti Topi ishte dje në qytetin e Korçës me rastin e festës së Pashkëve ortodokse. I shoqëruar nga anëtarë të kabinetit, ai u prit në selinë e Mitropolisë së Shenjtë të qytetit nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, At Ilia Kotnani, klerikë dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ortodoks, drejtues të pushtetit vendor, prefektja e Korçës Elfrida Zefi, intelektualë etj. Kreu i shtetit gjatë takimit tha se në ditë të tilla të shprehjes së vlerave të vërteta shpirtërore njerëzore të gjithë së bashku duhet të reflektojmë, por dhe të kontribuojmë për të ndërtuar një shoqëri të konsoliduar, një shoqëri të së ardhmes, të aspiratës evropiane. “Erdha këtu në Korçë për të festuar këtë ditë të shënuar, erdha për komunitetin fetar ortodoks. Edhe një herë urime dhe nga ky tempull u uroj të gjithë qytetarëve të Korçës gëzuar Pashkët dhe paçim gjithmonë ditë të mira!” - uroi kreu i shtetit.

Mesazhi

Përmes një mesazhi dërguar Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasios Janullatos, Presidenti Topi përcolli urimet më të ngrohta dhe të përzemërta në ditën e festimit të Pashkëve të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë kudo ku ndodhen.

Harmonia

Harmonia fetare ishte një prej konstatimeve kryesore të Presidentit Topi gjatë vizitës së tij në qytetin e Korçës. “Ajo ekziston, si kudo në të gjithë Shqipërinë, edhe në Korçë. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe një ripërtëritje e asaj tradite që kemi pasur gjithmonë”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›