Qëndrimi i diplomatëve, përplasen PD e PS
Qëndrimi i ndërkombëtarëve ndaj krizës politike, përplasen PD-PS. Dade: Kemi mbështetjen e PE-së për hapjen e kutive. Bumçi: Ndërkombëtarët kërkojnë të ktheheni në Kuvend
TIRANË-Kur në mbrëmjen e sotme mbërrin në Shqipëri delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për të shqyrtuar nga afër situatën politike, mazhoranca dhe opozita janë përfshirë në një përplasje verbale midis tyre përsa i përket qëndrimit të ndërkombëtarëve për hapjen ose jo të kutive të votimit. Sekretarja e marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, deklaroi dje se opozita ka mbështetjen e grupit socialist dhe atij demokrat në Parlamentin Evropian për hapjen e kutive të votimit, si dhe për kryerjen e një hetimi të hollësishëm parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke iu referuar deklaratës së Presidentit të OSBE-së Zhao Soares, Dade theksoi se mazhoranca ka kryer interpretime abuzive dhe spekuluese me raportin e OSBE-ODIHR-it.
"Kemi mbështetjen pa rezerva të grupit socialist dhe demokrat në Parlamentin Evropian për hapjen e kutive dhe për një investigim të plotë të zgjedhjeve përmes një komisioni parlamentar dhe së fundmi vjen deklarata e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, njëherazi dhe organizmi që ka vëzhguar zgjedhjet dhe me raportin e të cilit ka pasur spekulime dhe abuzime",- tha dje Dade. Ajo akuzoi kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin se po disinformon aktorët politikë ndërkombëtarë si dhe opinionin publik shqiptar, me alibinë se Gjykata Kushtetuese pengon hetimin parlamentar të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. "Ajo vazhdon të disinformojë jo vetëm opinionin publik vendas, por edhe ndërkombëtarët me melodrama për humbje mandatesh dhe për pengesa që krijon Gjykata Kushtetuese në hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit",- u shpreh deputetja e PS-së. Dade vuri në dukje se opozita po kërkon një hetim parlamentar të zgjedhjeve konform Kushtetutës dhe sipas saj, hetimi i zgjedhjeve nuk synon të jetë selektiv. Deputetja e "selisë rozë" nënvizoi se opozita do të vazhdojë të kërkojë transparencën e zgjedhjeve të vitit 2009,
pa u kushtëzuar në objektin e hetimit.
"Partia Socialiste do të vazhdojë të këmbëngulë në transparencën e plotë të procesit zgjedhor, për një hetim të plotë, të thellë dhe gjithëdimensional të zgjedhjeve, i cili do të jetë i pakushtëzuar dhe i pa limituar në objektin e vet",- theksoi Dade. Ndërkaq, ndaj qëndrimit të Partisë Socialiste reagoi edhe Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Aldo Bumçi. Bumçi theksoi se ashtu si qëndrimi i mazhorancës edhe faktori ndërkombëtar kërkon që hetimi i zgjedhjeve të kryhet në përputhje me Kushtetutën dhe pa dalë mbi vendimin e gjykatave të dhënë për zgjedhjet, që presupozon mos hapjen e kutive të votimit. "Presidenti Soares flet për hetim të plotë në respekt të plotë të ndarjes së pushteteve dhe shtetit ligjor. Çka duhet të theksoj se përputhet plotësisht me vendimin e Partisë Demokratike për të hetuar çdo gjë përveç çështjeve që kanë trajtuar gjykatat",- tha dje Bumçi. Sipas deputetit demokrat, pretendimet e opozitës për manipulime për zgjedhjet e qershorit i hedh poshtë vetë raporti i OSBE-ODIHR-it si dhe deklarata e Presidentit të këtij organizmi, Zhao Soares.
"Në vlerësimin e OSBE-së për zgjedhjet hidhet poshtë çdo lloj akuze për manipulime pasi raporti konfirmon se: "nuk ka pasur asnjë prove asnjë evidencë se zgjedhjet janë manipuluar ose votimi ka qenë i parregullt",- u shpreh ai. Deputeti Aldo Bumçi, theksoi se kreu i opozitës Edi Rama, nuk asnjë provë për të vërtetuar akuzat për manipulime në procesin e numërimit të votave, ndërsa nënvizoi se grupimi politik ku ai bën pjesë është i gatshëm që të shqyrtojë pretendimet e opozitës për parregullsi në procesin zgjedhor. "Partia Demokratike është e gatshme të përmirësojë së bashku me opozitën të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR si dhe të shqyrtojë të gjitha pretendimet e opozitës të bazuara në fakte dhe prova dhe jo në shpifje. Me duhet të theksoj se deri më sot z. Rama nuk ka paraqitur asnjë prove të vetme për të faktuar akuzat e tij", - nënvizoi Bumçi. Ai shtoi se ndërkombëtarët kanë kërkuar dhe po kërkojnë që opozita t'i japë fund bojkotit dhe të kthehet në Parlament brenda afatit Kushtetues.
Aldo Bumçi
"Presidenti Soares flet për hetim të plotë në respekt të plotë të ndarjes së pushteteve dhe shtetit ligjor. Çka duhet të theksoj se përputhet plotësisht me vendimin e Partisë Demokratike për të hetuar çdo gjë përveç çështjeve që kanë trajtuar gjykatat",- tha dje Bumçi. Sipas deputetit demokrat, pretendimet e opozitës për manipulime për zgjedhjet e qershorit i hedh poshtë vetë raporti i OSBE-ODIHR-it
Arta Dade
"Kemi mbështetjen pa rezerva të grupit socialist dhe demokrat në Parlamentin Evropian për hapjen e kutive dhe për një investigim të plotë të zgjedhjeve përmes një komisioni parlamentar dhe së fundmi vjen deklarata e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, njëherazi dhe organizmi që ka vëzhguar zgjedhjet dhe me raportin e të cilit ka pasur spekulime dhe abuzime",- tha dje Dade.