E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksisti u torturua para se të vritej

Taksisti 37-vjeçar, Avni Sinani, është torturuar dhe më pas vrarë në prani të 21-vjeçares, për të cilën akuzohej se e kishte ngacmuar. Ekspertiza mjekoligjore vërtetoi se taksisti i futur në kurth nga tre persona është goditur barbarisht me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, sidomos në organet gjenitale dhe pastaj i është dhënë goditja përfundimtare pas koke.

Policia e Kukësit ka arritur dje të rindërtojë plotësisht skenën e krimit monstruoz, të kryer nga dy vëllezërit Jetmir dhe Granit Hasanpapaj, 23 dhe 17 vjeç, në prani të gruas së Jetmirit, 21-vjeçares Almirilda Koka.

Të tre këta persona janë arrestuar dhe rrezikojnë dënimin maksimal, me burgim të përjetshëm, pasi kanë "përmbushur" shumicën e atyre veprimeve që në ligj konsiderohen "rrethana rënduese".

Vrasja është kryer me paramendim dhe secili nga tre personat që ka marrë pjesë në të ka pasur një rol të përcaktuar qartë. Viktima është futur në kurth dhe është vrarë me egërsi, duke u torturuar fillimisht.

Burime nga Policia e Kukësit thanë se të tre të arrestuarit kanë treguar pak a shumë të njëjtin version të ngjarjes dhe se provat e gjetura dhe ekspertiza mjekoligjore kanë bërë të mundur zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj vrasjeje.

Është saktësuar se taksisti është vrarë sepse mendohej se kishte ngacmuar gruan e Jetmir Hasanpapajt. Ajo i është ankuar bashkëshortit për këtë gjë dhe më pas çifti dhe vëllai i vogël i Jetmirit kanë organizuar vrasjen. Ata kanë hipur në taksinë e Avni Hasanit si pasagjerë të zakonshëm dhe taksisti nuk ka dyshuar për asgjë të keqe. Udhëtimi mësohet të ketë vijuar i qetë deri në afërsi të fshatit Tëplan, ku banojnë tre të arrestuarit. Kjo konfirmohet nga nipi i viktimës, i cili ka folur në telefon me të ungjin kur ky ka qenë në udhëtim dhe nuk ka vënë re asgjë të pazakontë. Vrasësit e kishin përcaktuar më parë edhe vendin ku do ta kryenin krimin, në një zonë të parrahur nga kalimtarë, jo shumë larg shtëpisë së tyre. Në sy të gruas, së cilës taksisti mund t‘i kishte hedhur ndonjë fjalë apo vështrim provokues dikur, dy vëllezërit kanë nisur ta godasin me grushte, shqelma dhe me një bisht kazme. Ata janë "kujdesur" ta godasin fort në organet gjenitale, për ta poshtëruar dhe për ta bërë edhe kufomën "të fliste" për motivin e vrasjes. Sipas ekspertëve mjekoligjorë, të cilët bënë autopsinë e kufomës, vdekja e taksistit është shkaktuar nga një goditje e fortë pas koke, por përpara kësaj, atij i ishte nxjerrë një sy, i ishin copëtuar organet gjenitale dhe i ishin shkaktuar plagë të rënda në të gjithë trupin. Ekspertët sqaruan gjithashtu se zhveshja e pantallonave është bërë pas vdekjes, jo me qëllim, por ngaqë kufoma është tërhequr për disa qindra metra zvarrë nëpër shkurre. Kjo ka ndodhur rreth 100 kilometra larg vendit ku u vra, në afërsi të Urës së Hasit, ku dy vëllezërit Hasanpapaj dhe 21-vjeçarja Kuka janë munduar të zhdukin kufomën, duke e hedhur në ujërat e Drinit të Bardhë. Plani nuk ka shkuar sipas parashikimit, sepse kufoma nuk ka rënë në ujë. Megjithatë, të tre janë larguar për të djegur makinën në një vend tjetër, në afërsi të fshatit Berishë dhe pastaj janë kthyer në shtëpi, me shpresën se dyshimet nuk do të binin mbi ta. Por janë gabuar, sepse policia ka dyshuar për ta që në momentin kur familjarët e taksistit bënë denoncimin për zhdukjen e tij. Tashmë do të duhet të përgjigjen për një krim të llahtarshëm, që ka një motiv absurd.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›