E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet Shtëpia e Kulturës, 96 pronarë kërkojnë aksionet

Ka nisur dje shembja e Shtëpisë së Kulturës së Rrethit të Elbasanit, një godinë e përdorur për prej 60 vjetësh për këtë funksion. Ndërkohë, një lukuni pronarësh kërkojnë të përfitojnë nga shitja e godinës. Kjo e fundit, e ndërtuar që në vitin 1929 nga shoqëria aksionere "SAEIDE", për përpunimin e duhanit në Shqipërinë e Mesme, tashmë është shkatërruar në bazë të një vendimi të policisë ndërtimore bashkiake, për zbatimin e planit të ri rregullues të Elbasanit. Ndërkohë mësohet se bashkia e ka vlerësuar këtë godinë në bazë të vlerës së tregut. "Vlerësimi i godinës është bërë nga një ekip specialistësh përkundrejt vlerës 300 milionë lekë. Është e drejta e aksionerëve të ndajnë shumën sipas përqindjeve të aksioneve që kanë në dokumentacion", ka pohuar kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini. Sipas tij, ligjërisht njihen 96 aksionerë, të cilët pretendojnë një shifër më të madhe për godinën. "Ne nuk mund të zgjidhim konfliktet që kanë aksionerët mes njëri-tjetrit, por kemi bërë vlerësimin real të pronës dhe jemi gati të lëvrojmë fondin për këtë shpronësim për qëllime publike", ka sqaruar kryebashkiaku i Elbasanit. Sidoqoftë, përfaqësia prej 12 anëtarësh e trashëgimtarëve të shoqërisë "SAIDE", të pakënaqur nga vlerësimi, ka kërkuar që vlera të rritet me 40%. Sipas nënkryetarit të bashkisë, Serafin Papa, një vlerësim i bërë nga specialistët kurrsesi nuk mund të amplifikohet, sidomos për mungesa të hapësirave ligjore. Sidoqoftë, dje, shtëpia e kulturës ka nisur të shembet qoftë për shkak të moshës së saj afro 80-vjeçare, aq dhe për zgjerimin e bulevardit të dytë kryesor të qytetit të Elbasanit. Ekipi i sektorit të kulturës, që ka qenë i akomoduar prej dhjetë vjetësh në katin e dytë, është "strehuar" në mjediset e teatrit "Skampa". Specialistët kanë parashikuar tri ditë për shembjen e godinës e pastrimin e sheshit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›