E Diel, 1 Nëntor 2026

Librat, më të mirët e 2008-ës

Një vit punë seleksionuese, e përmbyllur me një ceremoni çmimesh, do të përcaktojë botimet me vlerë të vitit 2008. Nesër, ora 10:00, në sallën "Tefta Tashko Koço", në Ministrinë e Kulturës, juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë do të japë verdiktin e saj. Në listë janë plot 9 çmime, të pagëzuar me emra të shkrimtarëve tanë të njohur, që shkojnë për botimin në disa gjini letrare. Mark Marku, si kryetar i jurisë, Zija Çela, Mirela Kumbaro, Agron Gjekmarkaj dhe Parid Teferiçi kanë shqyrtuar botimet që gjatë një viti kanë hyrë me ISBN të rregullt në Bibliotekën Kombëtare sipas rregullave të ndryshuara për ndarjen e këtyre çmimeve. Nuk ka më autorë që çojnë me dëshirë veprat e tyre në sektorin e librave për konkurrim, por një përzgjedhje e bërë nga juria e caktuar për këtë qëllim. Ndryshimet e vazhdueshme sivjet kanë prekur kohën e mbajtjes së ceremonisë.

Vitet e shkuara fituesit shpalleshin në fundvit. Sipas Ermir Nikës, shef i Sektorit të Letrave në MTKRS, kjo ka ndodhur vetëm për arsye të përfshirjes së botimeve. "U mendua që në këtë proces seleksionimi të përfshiheshin të gjitha botimet, edhe ato që kanë hyrë në ditët e fundit të vitit në Bibliotekën Kombëtare. Duhet pasur parasysh se Panairi i Librit që u mbajt në nëntor solli një fluks botimesh të reja. Meqenëse edhe këto vepra donin kohën e tyre për t‘u vlerësuar, është vendosur që ceremonia e çmimit të mos bëhej në fundvit", shprehet Nika. Ndërkohë që nga ana e tij, Mark Marku, kryetari i jurisë shprehet se janë munduar që asnjë libër të mos dalë jashtë vëmendjes. Sipas tij, botimet kanë kaluar në disa faza seleksionimi, për të arritur në fund te librat më të mirë për çdo gjini të shqyrtuar. Në disa fusha ka pasur tre, katër apo më shumë botime konkurruese. "Ne jemi munduar që t‘i shqyrtojmë të gjitha botimet, pa lënë asnjë jashtë vëmendjes. Sigurisht që kemi përzgjedhur veprat që paraqesin vlerë. Në gjinitë ku nuk ka pasur prurje për t‘u marrë në konsideratë, nuk kemi përzgjedhur", shprehet Marku. Fushat më produktive kanë qenë përkthimi, romani apo edhe esetë e mendimit. Ndërsa e varfër ka qenë letërsia për fëmijë, problemet e së cilës vitet e fundit janë vënë gjithnjë e më shumë në dukje. Sipas Markut, në këtë gjini nuk ka pasur botime të mira dhe ndoshta çmimi "At Donat Kurti", me të cilin është pagëzuar vlerësimi për botimin më të mirë në këtë fushë, mund të mos ndahet. Çmimet e tjera janë: çmimi "Gjergj Fishta" për autorin që me esenë e tij ka ndikuar në mënyrë të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar; çmimi "Faik Konica" për autorin që me anë të studimit ose kritikës ka ofruar zbulime dhe interpretime bashkëkohore në fushën e kritikës letrare; çmimi "Fan Noli shkon për përkthyesin shqiptar dhe të huaj, i cili përgjatë një viti ka sjellë në nivele të larta në gjuhën shqipe, vepra të rëndësishme nga letërsia botërore; "Mitrush Kuteli" për ndihmesë të çmuar në përsosjen e prozës së shkurtër shqipe; çmimi "Petro Marko" për autorin që me romanin e tij ka pasuruar letërsinë shqipe dhe njëkohësisht ka dëshmuar se letërsia shqipe është pjesë integrale e letërsisë evropiane; çmimi "Migjeni" për autorin që ka mundur të përcjellë te lexuesi shqiptar modele të reja dhe një nivel të spikatur letrar. Për sjelljen e vlerave të reja në poezinë shqipe ndahet çmimi "Lasgush Poradeci", ndërsa çmimi "Jusuf Vrioni" për përkthyesin që ka dhënë një ndihmesë të ndjeshme në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhët dhe kulturat e huaja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›