E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan: KE do të ndihmojë në rehabilitimin e tokave

Intervista

Kreu i delegacionit të KE-së, ambasadori Helmuth Lohan, tha dje në një intervistë për “Deutsche Welle” se BE parashikon të japë mbështetjen në rehabilitimin e tokës bujqësore, të rrugëve, sistemit të kullimit dhe thellimit të shtratit të Bunës.
Këtë javë, qeveria e Tiranës fillon dëmshpërblimin e familjeve dhe të bizneseve të dëmtuara nga përmbytjet në Shkodër. Faza e emergjencës është duke i lënë vendin asaj të rehabilitimit. A do të vazhdojë ndihma e BE-së edhe në këtë fazë zoti ambasador?
Solidariteti i BE-së nuk do të ndalojë tani. Pas përfundimit të fazës së emergjencës do të ketë një fazë shumë të rëndësishme. Kjo është faza e rehabilitimit të tokës bujqësore, të shtëpive të përmbytura, të dëmeve që ka pësuar mjedisi, të rrugëve, përmirësimit të sistemit të kullimit të tokave, apo thellimit të shtratit të lumit Buna. Tani për tani nuk mund të them saktë se çfarë nevojash ka dhe çfarë do të kërkojë qeveria e Shqipërisë nga BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar. Kjo do të duket në ditët në vijim. Kam besim të plotë se një asistencë konkrete do të jepet nga BE-ja edhe për fazën e rehabilitimit.
Zoti Lohan, çfarë mbështetjeje i ka dhënë BE gjatë fazës së emergjencës, në dy javët e para të këtij muaji, familjeve në zonat e përmbytura?
Para së gjithash, përfitoj nga rasti për të treguar simpatinë, dhembshurinë dhe solidaritetin që Bashkimi Europian dhe vendet e tij anëtare ndjejnë për familjet e prekura nga përmbytjet në Shkodër. Ky solidaritet ka marrë një formë shumë konkrete: nga njëra anë, një ekip ekspertësh të BE-së, i përbërë prej shtatë vetësh, ndodhet në Shqipëri për të ndihmuar qeverinë që të analizojë nevojat e familjeve të prekura dhe të koordinojë shpërndarjen e ndihmave ndërkombëtare që po mbërrijnë në këto zona. Nga ana tjetër, solidariteti i BE-së ka marrë formën e asistencës teknike me mjete transporti, me produkte ushqimore, medikamente mjekësore që i dërguan dhe vazhdojnë t'i dërgojnë Shqipërisë vendet anëtare. Brenda një kohe shumë të shkurtër, pothuajse menjëherë pas kërkesës së bërë nga qeveria e Tiranës. Jam i sigurt që popullsia në zonat e prekura nga përmbytjet në Shkodër dhe autoritetet e Shqipërisë vlerësojnë solidaritetin e treguar deri më tani nga BE dhe vendet anëtare.
Zoti Lohan, a mendoni se angazhimi total i qeverisë dhe administratës për dy javë me radhë në përballimin e situatës së shkaktuar nga përmbytjet në Shkodër, mund të ketë lënë disi pas dore plotësimin në kohë të pyetësorëve të Komisionit Europian për marrjen në shqyrtim të kërkesës së saj për statusin e vendit kandidat? Këta pyetësorë duhen dorëzuar në fund të shkurtit.
Kam përshtypjen se kolegët në administratën shqiptare po punojnë shumë për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të këtij pyetësori. Ka mbetur edhe pak kohë për administratën për të kontrolluar cilësinë e përgjigjeve dhe konsultuar me dikasteret e përfshira në këtë proces, shoqërinë civile. Nuk mendoj që puna për plotësimin e pyetësorit të Komisionit Europian lidhur me progresin e bërë dhe marrjen në shqyrtim të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim me BE-në të jetë vonuar, për shkak të përqendrimit të burimeve kryesore të qeverisë në daljen nga emergjenca të situatës në zonat e përmbytura.
Sot, në Parlament, zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme lidhur me përmbytjet në Shkodër, ku opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë. çfarë mendoni për situatën politike kur opozita vazhdon të mbetet jashtë dyerve të Parlamentit?
Bashkimi Europian tani po ndihmon qeverinë e Shqipërisë të përballojë situatën në zonat e përmbytura dhe të tregojë solidaritetin e tij me familjet e prekura dhe gjithë zonën e Shkodrës. çdo debat politik i takon klasës politike të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj dhe jo BE-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›