E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet korrin të vdekur dhe tetë persona të plagosur

Tiranë
Policia rrugore arreston dy nga shkaktarët, ndërkohë që rikthehen edhe masat e ashpra

Rikthehen frikshëm aksidentet rrugore në Tiranë, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar vdekjen e një burri dhe plagosjen e tetë personave të tjerë. Sipas policisë kryeqytetase, aksidenti më i rëndë ka ndodhur në Rrugën e Durrësit, pikërisht te karburant “Euro Drini”. Nga të dhënat mësohet se rreth orës 16.15, një kamion, me targa TR 1573 L, ka aksidentuar me vdekje këmbësorin Musa Paja, 67 vjeç, banues në Pukë. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia, e cila ka arrestuar drejtuesin e kamionit Ermir Agolli. 27-vjeçari ka njoftuar vetë sallën operative sapo ka shkaktuar aksidentin. Ndërkaq, policia deklaroi se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për një tjetër drejtues mjeti, i cili ka shkaktuar një aksident me katër të plagosur. Nga grupi hetimor mësohet se rreth orës 17:55 në Farkë, Islam Mici, 63 vjeç, duke drejtuar mjetin “Volkswagen”, me targë TR 9037 F, është përplasur me mjetin “Ford”, me targa TR 0232 F, të drejtuar nga Flamur Hoxha, 40 vjeç, banues në Tiranë. Nga përplasja janë plagosur e ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën, dy drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët Zef Vukaj e Liradin Hoxha, përkatësisht 40 e 49 vjeç. Në aksidentin tjetër janë shënuar edhe dy persona të plagosur. Sipas policisë, procedimi penal në gjendje të lirë për Ervin Hasanajn, 24 vjeç, banues në Durrës, sepse në orën 22.15, në rrugën “Bardhyl”, duke drejtuar mjetin “Alfa Romeo”, me targa të huaja CG 993 CR, ka dalë nga rruga. Pas rrotullimit të bërë është plagosur, ai dhe pasagjerja Mikela Lakrori, 22 vjeçe, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Një tjetër aksident ka ardhur në mesnatë, kur Artan Xhasula, 31 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndiqet penalisht në gjendje të lirë, në rrugën “Bardhyl”, duke drejtuar motorin Piaggo ç 29761, ka dalë nga rruga dhe ka marrë disa plagë. Ndërkohë që aksidenti i fundit ka ndodhur në unazën e qytetit të Kavajës. Nga të dhënat policore mësohet se për këtë aksident u arrestua Demir Muça, 59 vjeç, banues në fshatin Rikaj. Nga hetimi ka rezultuar se në orën 17.30, në unazën e qytetit, duke drejtuar motorin “Honda”, pa targa, ai ka aksidentuar pasagjerin Zenel çela, 62 vjeç, banues në fshatin Aganas, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Pavarësisht shifrave të rënda të aksidenteve, policia e Tiranës ka vazhduar sërish duke marrë masa të ashpra për drejtuesit e mjeteve. Vetëm gjatë fundjavës, në Qarkun e Tiranës janë konstatuar dhe vendosur 250 masa administrative, ndërkohë që janë pezulluar tre leje drejtimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›