Përdor shumë ilaçe, vdes 35-vjeçarja
Hetimet
Një 35-vjeçare ka humbur jetën nga përdorimi i një sasie të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për të zbuluar nëse ka qenë një vetëhelmim apo vdekje aksidentale. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Shkozë, ndërsa e ndjera ka ndërruar jetë në spital gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës 03.00 të mëngjesit ka ndërruar jetë në spital Burbuqe K. Ajo ishte dërguar me urgjencë në spital nga të afërmit e saj, por nuk ka mundur të mbijetojë. Sipas grupit hetimor, nga dëshmitë e mbledhura, ajo kishte konsumuar medikamente të ndryshme, për shkak të disa dhimbjeve. Megjithatë, policia vazhdon të hetojë nëse kjo ka ardhur nga ndonjë keqpërdorim i ilaçeve, apo ka pasur shkaqe të tjera. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
#