Pensionet me dokumente false, hetohen tre nëpunës të Sigurimeve
Pogradec
Dyshohet se kanë dhënë vërtetime të rreme për gjashtë ish-punonjës të minierës së Gurit të Kuq
Vijojnë problemet me pensionet e minatorëve në Rrethin e Pogradecit. Një hetim i sektorit të krimit ekonomik zbuloi pak kohë më parë se me pensionet e minatorëve abuzohej, duke bërë trajtim të tyre me një pagesë më të lartë e duke i klasifikuar si minatorë të nëntokës një pjesë të atyre që kanë punuar në minierën e Gurit të Kuq të Pogradecit. Krimi ekonomik që ka çuar për ndjekje penale të paktën gjashtë raste të pensionistëve që kanë marrë paga pensioni si minatorë të nëntokës, këtë herë ka zgjeruar më tej hetimet me dosjet përkatëse, duke vënë nën akuzë tre nga ish-punonjësit e sigurimeve shoqërore në Pogradec. Sipas policisë, në dosjet e pensioneve janë vërejtur shkelje dhe për këtë arsye janë çuar për ndjekje penale tre ish-inspektorët e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore në këtë qytet. Ata dyshohen të jenë të implikuar në dhënien e vërtetimeve për gjashtë pensionistë që deri më tani janë trajtuar me pagesë më të lartë. Duke zbardhur dosjet, policia ka mësuar se përfituesit e këtyre pensioneve si minatorë të nëntokës e kanë marrë pagesën përmes vërtetimeve që janë lëshuar nga tre ish-punonjësit e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore. “Nga ana e sektorit të krimit ekonomik financiar u kryen veprimet procedurale për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim dokumentesh, në ngarkim të ish-inspektorëve të Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore A.M, 51 vjeç nga Gështenjasi i Pogradecit, F.O. 68 vjeç, banues në Pogradec, dhe B.B. 64 vjeç banues në Tiranë. Kjo, pasi këta shtetas gjatë ushtrimit të detyrës kanë abuzuar me detyrën, duke i sjellë shtetit një dëm ekonomik në vlerën 400 mijë lekëve”, ka thënë zëdhënësja e policisë, Marsela Vila. Sipas policisë, nga hetimet ka rezultuar se kanë qenë inspektorët që kanë lëshuar vërtetime për vjetërsi pune të ish-minatorëve në kundërshtim me ligjin, duke lejuar këta të fundit të përfitojnë pension në mënyrë të kundërligjshme. Policia ka bërë të ditur se hetimet që kanë nisur pak kohë më parë kanë çuar në zbardhjen e kësaj skeme, sipas së cilës minatorët merrnin pensione përmes vërtetimeve false. Me tre ish-inspektorët e agjencisë shkon në nëntë numri i personave që po ndiqen penalisht për abuzimin me pensionet dhe falsifikimit. Nga hetimet kanë qenë gjashtë pensionistë që kanë treguar mënyrën se si kanë përfituar pensionin, duke paraqitur dokumente të rreme për vjetërsinë e punës në minierat e Gurit të Kuq dhe të kategorisë përkatëse.
#