Qerimaj Nderi i Akademise se Shkencave

Pas titullit të kampionit të Europës në pedanën e Antalias, Erkand Qerimaj është vlerësuar edhe me titullin “Nderi i Akademisë së Shkencave” në Shqipëri.
Ceremonia për peshëngritësin shqiptar është zhvilluar në ambientet e Akademisë së Shkencave, ku të pranishëm ishin disa prej figurave më të larta të këtij institucioni, si edhe zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.
Pas propozimit të bërë nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, dhe pranimit nga Akademia e Shekencave me në krye Gudar Beqirajn, Erkand Qerimaj bëhet sportisti i parë që merr titullin “Nderi i Akademisë së Shkencave”.
Erkand Qerimaj fitoi tre medalje, dy ari dhe një argjend në Europianin e Antalias në Turqi, ku u shpall edhe kampion i kontinentit në dygarësh, duke regjistruar arritjen më të madhe të Shqipërisë në aktivitetet për të rritur në peshëngritje.