Sot, raporti paraprak për zgjedhjet
Sot, në orën 14:00, vëzhguesit ndërkombëtarë do të vendosin notën paraprake për ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri. Aty do të bëhet e qartë se deri në çfarë mase janë marrë parasysh porositë e ndërkombëtarëve për standardet. Në panelin e vëzhguesve të zgjedhjeve që do të flasin për procesin, do të jenë katër personazhe. I pari është austriaku Wolfgang Grossruck, i cili kryeson misionin vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Ai do të flasë në emër të 37 monitoruesve që janë shpërndarë gjatë gjithë ditës së votimit nëpër qarqe të ndryshme. Zëri tjetër i fuqishëm që do të artikulojë sot qëndrimin paraprak për zgjedhjet është ai i britanikes Audrey Glover. Natyrisht ajo mund të konsiderohet zëri më i fuqishëm, për shkak se përfaqëson 40 vëzhgues afatgjatë dhe 320 të tjerë afatshkurtër të ODIHR-it. Një tjetër përfaqësues është Corien Jonker, kryesuesja e misionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ajo përfaqëson qëndrimin e 22 vëzhguesve të kësaj strukture, të shpërndarë në të gjithë vendin. Pas tyre do të flasë edhe Bruce George, përfaqësuesi i grupit të vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Në këtë komunikim të ndërkombëtarëve me median do të mund të kuptohet edhe sa të unifikuar në qëndrimet e tyre do të jenë vëzhguesit. Kjo për shkak se nga pjesëmarrësit në panel, Grossruck është njohur si mik i Kryeministrit Sali Berisha, ndërsa Audrey Glover ka pasur një konflikt me kreun e mazhorancës në pushtet. Ky i fundit kërkoi deri në largimin e saj nga Shqipëria, për shkak të mërisë që lidhet me raportin e ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 26 majit të vitit 1996. Deri më tani, misioni i vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ka nxjerrë tri raporte paraprake në të cilat ka evidentuar problematikën dhe pretendimet e palëve në proces. Sot, përtej pretendimeve, ndërkombëtarët duhet të pasqyrojnë qëndrimin e tyre të plotë për atë çfarë kanë parë gjatë ditës së votimit. Vlerësimi i sotëm ndërkombëtar do të ketë një rëndësi të madhe për shkak se do të jetë baza e raportit përfundimtar për zgjedhjet në Shqipëri. Nota që do t‘u vendosin ndërkombëtarët këtyre zgjedhjeve do të jetë në themel të analizës së Bashkimit Europian lidhur me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Gjithashtu, një ndikim shumë i drejtpërdrejtë do të pasqyrohet edhe te kërkesa për liberalizimin e regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Deri më tani është konstatuar në vazhdimësi se Shqipëria ende nuk ka arritur të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme konform standardeve ndërkombëtare. Konstatimi më i rëndë dhe i drejtpërdrejtë ishte ai se proceset e kaluara janë cilësuar "si një shans i humbur për Shqipërinë". Anëtarësimi me të drejta të plota në NATO ka shtuar shkallën e përgjegjësisë për klasën politike shqiptare. Shqipëria duhet t‘i tregojë tanimë botës se është e aftë të zhvillojë zgjedhje konform standardeve të një vendi anëtar të NATO-s dhe që aspiron për anëtarësim në Bashkimin Europian.