Qershori po afron - kasandrat e së majtës përveshin duart për pushtet!
TIRANE - Me afrimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të qershor 2009, partitë politike të së majtës, të përbëra kryesisht me ish eksponentë të monizmit, shprehin me optimizëm të tejskajshëm pretendimet e cekëta dhe qesharake të tyre, për të triumfuar në zgjedhje.
Pretendimet qesharake të së majtës politike në vend nuk kanë as baza dhe as bërthamë të ngurtë për të rivalizuar mazhorancën aktuale, aq më tepër kur dihet katandisja e opozitës së Edvinit, apo e xhaketave të vjetra si Skënder Gjinushi, Paskal Milo apo edhe Gramoz Ruçi, të cilët i kanë zënë ethet para-elektorale dhe enden sa në një seli në tjetrën, duke kaluar bulevarde të tëra rruge, rrugice të kryeqytetit, për të gjetur “strehëz” politike dhe një tjetër mandat deputeti, sigurisht të dhuruar, se nëse i referoheni kontributit të tyre politiko-reformator, është mirë t’i barazvlefshojmë me zero.
Kësisoj, një nga eksponentët dhe xhaketat e vjetra të politikës së vendit Skënder Gjinushi, i cili megjithëse është i përgjegjshëm se prania e tij në politikë është diçka e papërfillshme dhe aspak kontributeve dhe më injorues është fakti se askush nuk e llogarit si forcë “kartoni” në kuvend, përsëri vazhdon të insistojë se krahu politik që përfaqëson dhe vetë partiza që ai drejton, pra PSD, meritojnë të jenë në mazhorancë mandatin e ardhshëm qeverisës...!
Pa hyrë shumë në detaje, po kujtojmë vetëm disa elementë që e bëjnë Gjinushin bashkë me Edvinin apo edhe ndonjë tjetër majtist, që mbron fort tezat e ryshfetit, krimit dhe korrupsionit, të pësojnë autogol. Pas revolucionit komunist të ’97, për një periudhë të gjatë plot 8 vite, Shqipëria do të përballej me qeverisjen më kleptokratike që ka njohur vendi në historinë shtet-formuese, me qeverisjen më të papërgjegjshme dhe aspak transparente ndaj publikut, me qeverisjen që ushqente dhe amnistonte grupet kriminale, bandat e rrugëve dhe sigurisht mafien shtetërore, që vepronte në çdo cep të vendit.
Pavarësisht pretendimeve të të majtëve, ajo që e bën të parrezikshme organizimin dhe propagandimin e tyre mediatik, është se opozita në tërësi mbahet me paterica, sipasojë e fraksioneve në rritje dhe administrimit politik dhe mungesës së theksuar të ideve për të formuluar programet dhe objektivat politikë.
Megjithatë, dje, Skënder Gjinushi mblodhi Këshillin Drejtues Kombëtar të PSD-së, ku edhe hodhi frazën bombastike se “qershori do të jetë një fitore e madhe, do të jetë një rast për ndryshim real të politikës në Shqipëri, pasi këto zgjedhje do të bëjnë të mundur largimin e kësaj qeverie të mbrapshtë e të dështuar duke i hapur Shqipërisë një perspektivë të re”. Kjo ishte pretenca e Gjinushit të dobësuar tashmë politikisht, nga parandjenja se fundi e tij nga të qenurit faktor politik po troket.
Dhe me këtë rast kacavirret që bën, për të gjetur strehëz do të veniten tërësisht vetëm pas 6 muajsh, ku njëherazi shënohet edhe dështimi i radhës për opozitën në tërësi, ku për fat të keq fatin e Gjinushit duket se do ta ketë edhe Edi Rama, rivali i drejtpërdrejtë i Ilir Metës. Ky i fundit ka marrë një sërë akuzash dje nga Gjinushi, se LSI ka gllabëruar votat dhe mandatet e të majtëve, por nuk i ka përdorur për të majtën, duke konstatuar kështu se marrëveshjet që janë bërë me këtë forcë politike ishin diçka negative. Pra, kjo është një e majtë e copëzuar dhe tendencioze për të sajuar alibi të ndryshme dhe për të pasuar përgjegjësinë mbi dikë.