E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhiosmanoviç e Sukaj me bagazhe në dorë

 

Pas përfundimit të kampionit dhe humbjes së titullit kampion në përballjen me Tiranën ekipi i Vllaznisë nuk pritet të kalojë një periudhë të qetë përgatitore. Drejtuesit e klubit para takimit me Tiranën janë tërhequr nga vendimi i tyre për të aplikuar gjoba në masën 30% të kontratës së futbollistëve në rast të humbjes së titullit kampion. Tani që gjithçka ka përfunduar një gjë e tillë deri në këto momente nuk është shqiptuar më. Nga sa mësohet nga burime pranë drejtuesve të klubit pritet që të ketë një mbledhje të dytë për të shikuar me kujdes atë që do të ngjasë me lojtarët e këtij ekipi dhe me vendimet që mund të marrin drejtuesit e klubit përsa i përket përgatitjeve për sezonin e ri. Emri i parë që mund të lërë ekipin kuqeblu mund të jetë pikërisht ai i teknikut malazez Dervish Haxhiosmanoviç. Ai ka mbërritur në Shkodër si një trajner emergjence dhe kontrata e tij ka qënë vetëm tre mujore me të drejtë rinovimi edhe për një vit nëse arrinte që me Vllazninë të merrte të paktën një prej trofeve. Por fundi i sezonit e ka gjetur ekipin kuqeblu në vendin e dytë dhe një nga katër ekipet që ka pretenduar Kupën e Shqipërisë. Kjo mund të jetë shumë pak që tekniku malazez i kuqeblu Dervish Haxhiosmanoviç të vazhdojë punën me ekipin shkodranë. Një tjetër emër që pret me bagazhe në dorë është sulmuesi Xhevair Sukaj. 22-vjeçari ishte në formë huazimi së bashku me afrikanin Boadu dhe mendohet se kontratat e tyre nuk do të rinovohen më nga klubi kuqeblu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›