Shqipëria akordon 400 mijë euro për Graçanicën
Këtë e bëri të ditur kryeministri shqiptar Sali Berisha në një konferencë të përbashkët shtypi me kryetarin Partisë Liberale Serbe në Kosovë, Sllobodan Petroviç. "Shpreha dëshirën e qeverisë shqiptare për të kontribuar me një fond modest prej 400 mijë euro për Komunën e Graçanicës. Ne ramë dakord që kryetari dhe këshilli i komunës, bashkërisht, të përzgjedhin projektet më me interes për komunitetin që ai drejton dhe qeveris dhe të dërgojë pas Vitit të Ri ekspertët e qeverisë që së bashku të përcaktojmë të gjithë praktikën e lëvrimit të këtij kontributi modest. Këta zotërinj janë burra të cilët me vendosmëri punojnë për një kapitull të ri në marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit serb", deklaroi Berisha. Ndërkohë, Petroviç ka vlerësuar vizitën e Kryeministrit Sali Berisha dhe të Zv/Kryeministrit Ilir Meta në Kosovë për besimin që ato kanë përçuar tek serbët. Sipas Kryetarit të Partisë Liberale Serbe të Kosovës, Shqipëria është një shembull për tu ndjekur dhe nga vendet e tjera të rajonit.