E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu uron Krishtlindjet, kërkon njohje nga Vatikani

PRISHTINE- Me rastin e festës së Krishtlindjes, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu u ka dërguar urime Shenjtërisë së Tij, Papa Benediktit XVI, ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, dhe të gjithë besimtarëve katolikë dhe qytetarëve të Kosovës.Në urimin dërguar Papa Benediktit XVI, Sejdiu e uron atë në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke i shprehur urimet më të përzemërta për festën e Krishtlindjes. “Duke ju shfaqur edhe një herë falënderimin për kujdesin Tuaj të vazhdueshëm dhe të Selisë së Shenjtë për vendin tim, ju lus, Shenjtëria Juaj, që ta keni parasysh kërkesën tonë për njohjen e Republikës së Kosovës”, thekson presidenti Sejdiu në urimin e tij. Njohja e Republikës së Kosovës nga Vatikani – vijon më tutje presidenti - pritet me padurim nga i gjithë populli i Kosovës, i cili, si gjithmonë, është shembull i rrallë i bashkëjetesës, i harmonisë dhe i tolerancës në mes njerëzve të etnive dhe besimeve të ndryshme “Ne në Kosovë lutemi që viti 2010, të cilin me dekret të veçantë e kam shpallur Vit të Nënës Terezë, bashkë me Katedralen me emrin e saj, që do ta hapim në Prishtinë, të na sjellë edhe bekimin e vendit tonë nga Ju Ati i Shenjtë dhe nga Selia Juaj”, përfundon urimi.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›