“Qeveri do të konfirmojë një mandat të dytë, për të vazhduar projekte”
Kryeministri Berisha vazhdon turin në Korçë e Pogradec. Javën e ardhshme shpallet skema për rimbursimin e çmimit të letërnjoftimeve
TIRANE - Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha u ndal dje në qarkun e Korçës, ku mori pjesë në inaugurimin e disa veprave publike, investime të buxhetit të shtetit. Kreu i qeverisë, mori pjesë fillimisht në ceremoninë e përurimit të fazës së parë të punimeve për ndërtimin e rrjetit të brendshëm të kanalizimeve të ujërave të përdorura për fshatin Tushemisht, në kuadër të projektit “Ndotja mjedisore e liqenit të Ohrit”.
Ky projekt arrin në vlerën rreth 60 milionë lekë dhe është financim i buxhetit të shtetit. Berisha u shpreh se ky inaugurim, së bashku me sistemin e kanalizimeve të Pogradecit, përbëjnë projektin më të madh për t’i kthyer liqenit atë pastërti dhe atë kthjelltësi të kristalte që i ka dhuruar zoti dhe vetë natyra.
“Le ta konsiderojmë këtë si hapin e parë të madh. Hapi i dytë do të jetë rindërtimi i çdo rruge dhe rrugice të këtij fshati. Prandaj kryetari i Komunës së Tushemishtit le të bëjë projektet, t’ia sjellë ato qeverisë dhe unë ju garantoj se ne do t’i financojmë ato plotësisht në mënyrë që ata që vinë këtu për pushime, krahas burimeve të liqenit dhe pastërtisë së tij, krahas pritjes tuaj shembullore, të shohim edhe një fshat me rrugë dhe rrugica të standardeve më të mira”, vuri në dukje kryeministri Berisha.
Më tej, shefi i ekzekutivit i njohu banorët e Tushemishtit me disa projekte të rëndësishme për infrastrukturën e kësaj zone, ndërtimi i të cilave do të fillojnë së shpejti.
“Unë isha sot në Korçë dhe rruga Korçë – Qafë Plloçë bëhet për 15- 20 minuta, kështu që e tërë Korça do të derdhet në Pogradec me lehtësinë më të madhe. Unë do të porosis inxhinierët dhe ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, se në rast se mundet të shkurtojnë pak kthesat e Qafë Plloçës me një tunel. Edhe atë gjë do ta bëj për ju dhe për Korçën, sepse dua që qyteti i Pogradecit dhe Tushemishti të shfrytëzohen dhe të vizitohen edhe më shumë. Po kështu, shumë shpejtë, brenda dy muajve ne do të fillojmë rrugën tjetër, Qafë Plloçë- Qukës, e cila e afron shumë Elbasanin, qytetin që tradicionalisht pushon në Pogradec”, u shpreh Berisha.
Duke iu drejtuar të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët besojnë se vendi po ndryshon, kryeministri Berisha i ftoi ata që të vazhdojnë së bashku ndryshimin.
“Sot dua t’i drejtoj një pyetje çdo qytetari shqiptar; a po ndryshon ky vend? Ata që besojnë se vendi po ndryshon, i ftoj që të vazhdojmë së bashku ndryshimin. Ndryshim jo vetëm me fjalë, por ndryshim me vepra. Ndryshime të cilat ne i meritojmë, që prekin jetën tonë dhe jetën e fëmijëve tanë. Ndryshime të cilat bëjnë që Tushemishti, Pogradeci dhe Shqipëria të zhvillohen më shpejtë se asnjë herë. Mirupafshim në fushatë elektorale, sepse mandati i dytë na duhet për të vazhduar projektet tona. Ne kemi nevojë për projekte dhe jo për fjalë. Ne kemi nevojë për vepra të cilat po i shndërrojmë në realitet”, u shpreh para banorëve kryeministri Sali Berisha.
Berisha fton opozitën që të ndihmojë në procesin e shpërndarjes së letërnjoftimeve
Në ditën e dytë të vizitës në rrethin e Korçës, kryeministri Sali Berisha vizitoi dje qendrën e aplikimit për letërnjoftimet në komunën e Çërravës, ku garantoi se qeveria do t’i përmbahet plotësisht vendimit të saj, për rimbursimin e çmimit për kartat e reja të identitetit dhe për të realizuar këtë javën që vjen qeveria do të shpallë skemën e përshpejtimit të procesit të rimbursimit.
“Unë ju siguroj se qeveria do t’i përmbahet pikë për pikë zotimit të saj për rimbursimin e çmimit për kartat e identitetit. Pra, nuk do t’ju mbetemi borxh, por qeveria në një kohë shumë të shkurtër do t’ua rimbursoje atë vlerë, ashtu sikurse ajo ka premtuar. Po merren të gjitha masat me qëllim që javën që vjen ne të shpallim skemën e përshpejtimit të plotë të procesit të rimbursimit të shumave që qytetarët meritojnë nga aplikimi i tyre”, u shpreh Berisha.
Në komunën e Çërravës, kryeministri u takua dhe diskutoi me banorë të këtij fshati, të cilët po kryenin aplikimin për t’u pajisur me letërnjoftime. Duke i përgëzuar për sensibilizimin që po tregojnë, kryeministri i nxiti banorët që të vazhdojnë aplikimin, në mënyrë që të gjithë të ndihemi qytetarë të barabartë me qytetarët evropianë.
Gjithashtu, kryeministri Berisha, ftoi opozitën që të mos lëshojë deklarata politike, por të ndihmojë dhe të kontribuojë në procesin e pajisjes së qytetarëve me kartat e reja të identitetit.
“Unë ftoj opozitën t’i bashkëngjitet këtij procesi. Do të ishte mirë që deklaratat e tyre të përditshme të shndërroheshin me kontrolle në kuadrin e Komisionit Parlamentar ose do të ishte mirë që të deklaratat e tyre të ishin më pak politike. Opozita ka pushtetin vendor në qytetet e mëdha të Shqipërisë dhe qytetet e mëdha kanë një numër shumë të madh popullate, kanë qendra të shumta aplikimi për letërnjoftime. Pra, është mirë që të lëmë zyrtarët vendorë që të shprehin shqetësimet e tyre, në rast se ka. Ata të shprehin mendimet pavarësisht se cilit spektër politik i përkasin. Por, ata nuk duhet të politizojnë gjërat, të cilat mendoj se nuk janë as interes i opozitës”, u shpreh kryeministri Berisha.
Rikonfirmon Ministri i Financave Ridvan Bode
“Qeveria do të vazhdojë rritjen e pagave dhe pensioneve edhe në mandatin e dytë”
TIRANE - Në vijim të turit “Shqipëria po Ndryshon”, ministri i Financave Ridvan Bode vizitoi komunën Pirg në Qarkun e Korçës. I shoqëruar dhe nga deputeti i zonës, Edmond Spaho, ai u takua me banorë të zonës, mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike. Duke u fokusuar në arritjet e qeverisë përë këtë mandat katërvjeçar Bode tha se ritmi i investimeve ka qenë 6 herë më i madh se në 8 vitet e qeverisjes socialiste.
“Mblodhëm 3.2 miliardë dollarë më shumë dhe ato i çuam në investime në infrastrukturë, në rritje pagash dhe pensionesh”, tha ministri Bode.
Sipas Bodes qeveria e djathtë do të vazhdojë rritjen e pagave dhe pensioneve edhe në mandatin e dytë të saj për të përmbushur kështu një prej premtimeve kryesore që i ka dhënë elektoratit. Deputeti i zonës Edmond Spaho i quajti katër vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike, një ndryshim të dukshëm, që vihet re jo vetëm në zonën e Korçës por në gjithë Shqipërinë.