E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, 165 mln lekë shtesë për KQZ

Qeveria rrit buxhetin e KQZ-së për zgjedhjet e 28 qershorit teksa vendos rregulla të reja për kartat e identitetit. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Sali Berisha ka kaluar në buxhetin e institucionit të menaxhimit të zgjedhjeve 165 milionë lekë dhe ka urdhëruar gjithashtu që personat me pasaportë nuk do të mund të aplikojnë dot për kartat e identitetit nga data 30 maj deri më 1 korrik.

Këshilli i Ministrave për zgjedhjet e 28 qershorit ka shtuar buxhetin e KQZ-së, duke vendosur 90 milionë lekë për pagat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore, 10 milionë për mallra e shërbime dhe 65 milionë për t‘ua shpërndarë subjekteve zgjedhore.

Komisionet ndërpartiake pritet të jenë të shumta dhe për pasojë fondi i KQZ-së ishte i pamjaftueshëm për t‘i përballuar shpenzimet. Dy forcat më të mëdha politike, PD-së dhe PS-së, do të marrin edhe pjesën më të majme të shumës së akorduar nga KQZ-ja dhe buxheti i shtetit për financimin e tyre gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave do të përdoren për postera dhe reklama. Sipas relacionit, financimi i rritur për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka ardhur nga ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor. Fondi, i cili është përcaktuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shkon menjëherë për t‘u përdorur. Qeveria miratoi kështu vetëm 30 ditë para zgjedhjeve shtesën e fondit në buxhetin e vitit 2009, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për financimin e shpenzimeve për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të 28 qershorit të vitit 2009.

Qeveria vendosi rregulla të reja edhe për kartat e identitetit. Kryeministri bëri me dije në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se nga data 30 maj deri më 1 korrik nuk do të lejohet asnjë person me pasaportë të aplikojë për letërnjoftimet elektronike. Kreu i qeverisë urdhëroi ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, dhe prefektët e të gjitha qarqeve që të monitorojnë procesin dhe të mos lejojnë asnjë zyrë të gjendjes civile të lëshojnë certifikata për ata persona që duan të aplikojnë për karta identiteti, ndërkohë që kanë pasaporta. Zyrat e gjendjes civile do të punojnë me dy turne, paradite dhe pasdite. "Ne jemi popull i gjumit të drekës, kështu që zyrat e aplikimit të letërnjoftimeve do të jenë hapur nga ora 08.00-13.00 dhe nga ora 17.00-21.00. Kryeministri Sali Berisha takoi dje drejtuesit e konsorciumit "Aleat" dhe "Saggem", që zbatojnë projektin e prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve biometrike të identitetit në Shqipëri dhe diskutoi me ta në lidhje me mbarëvajtjen e procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike.

Berisha theksoi se ky angazhim do të monitorohet me seriozitet maksimal dhe se nëpunësit e shërbimit të gjendjes civile që do të lejojnë pajisjen me letërnjoftim të personave që zotërojnë pasaportë, do të përballen me masa disiplinore. "Ministria e Brendshme dhe prefektët do të ushtrojnë format më të rrepta të kontrollit mbi punonjësit e gjendjes civile. Asnjë person me pasaportë nuk do të marrë certifikatë. Toleranca do të jetë zero", tha Berisha. Me qëllim përshtatjen e procesit të aplikimit me nevojat e qytetarëve e për rrjedhojë rritjen e efikasitetit të këtij procesi, u ra dakord që orari ditor i punës së qendrave të aplikimit të ndahet në dy periudha, në ndryshim nga orari unik i zbatuar deri më tani. Zyrat e aplikimit do të hapen nga ora 08.00 dhe do të punojnë deri në 13.00 dhe pushimi i drekës do të përfundojë në orën 17.00 për të vazhduar punën deri në orën 21.00. Sipas shefit të qeverisë, në Shqipëri janë 3 milionë e 100 mijë zgjedhës. "Gjysma e tyre janë jashtë Shqipërisë. Nga zgjedhësit pa pasaportë që s‘kanë aplikuar janë diku nga 60-100 mijë veta", tha Berisha, duke shtuar se kapaciteti i kompanisë për kohën që mbetet është që të aplikojnë rreth 400 mijë persona. Kreu i qeverisë ka ftuar opozitën të bashkëpunojë në këtë proces dhe të studiojë kapacitetin ekzistues.

Nisma

5 mijë lekë

për çdo

fëmijë të lindur

Qeveria miratoi dje fondin e nevojshëm për përballimin e shpenzimeve për shpërblimin prej 5 mijë lekësh për lindjen e fëmijëve. Ky fond i shkon si shtesë buxhetit të vitit 2009 për Ministrinë e Brendshme. Domosdoshmëria e paraqitjes dhe e miratimit të këtij vendimi rrjedh nga detyrimi i zbatimit të dispozitave të ndryshuara ligjore, në bazë të të cilave parashikohet shpërblimi në masën 5 mijë lekë për lindjet brenda vendit, të deklaruara brenda 60 ditësh edhe për lindjet jashtë vendit, të deklaruara brenda 90 ditëve. Ky vendim, eliminon edhe mundësinë e abuzimit me marrjen më shumë se 1 herë të këtij shpërblimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›