Tri komuna nuk e kanë nisur aplikimin e kartave
Tri komuna në Qarkun e Elbasanit nuk e kanë nisur fare procesin e aplikimit për kartat e identitetit. Sipas burimeve nga instancat vendore, mësohet se në Komunën e Stravajt të rrethit të Librazhdit, Funarit të rrethit të Elbasanit, si dhe në Tunjë të rrethit të Gramshit, pothuajse nuk ka nisur fare procesi i aplikimit për kartat e identitetit. Sipas krerëve vendorë, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së infrastrukturës elektronike. Të njëjtat burime saktësojnë se në Komunën e Tunjës në rrethin e Gramshit, nga 2291 persona që duhej të aplikonin, e kanë kryer këtë proces vetëm 38 dhe nuk është shpërndarë asnjë kartë elektronike. Ndërsa dje në Komunën e Treganit të rrethit të Elbasanit, ky proces është bllokuar për shkak të ndërprerjes së sinjalit. Një problematikë e tillë ndeshet prej muajsh në shumë komuna dhe bashki nga veriu në jug të vendit. Më e rrezikuar mbetet situata në fshatrat e thellë, ku infrastruktura lë për të dëshiruar. Kjo, pavarësisht nismës së qeverisë për të subvencionuar koston e aplikimit për kartat e identitetit të kësaj kategorie shtetasish pa pasaportë.