E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Lejet klienteliste të Ramës, poshtërsi për qytetarët e Tiranës

Rama tashmë ka hequr edhe gjethen e fikut, i zhveshur deri në lëkurë
Kryeministri Berisha ka hedhur akuza të ashpra ndaj kundërshtarit të tij politik dhe njëkohësisht edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama për lejet e ndërtimit. Gjatë një konference për shtyp, ai riakuzoi Ramën për abuzime në dhënien e lejeve të ndërtimit duke shtuar kështu numrin në listën e akuzave nga ana e mazhorancës. Largimin e opozitës nga kuvendi, Berisha e ka cilësuar sovrane dhe ka uruar që të mos ndikohet nga vendimet familjare të Ramës, i cili i ka lejuar vetes marrjen e lejeve të ndërtimit. Opozita është sovrane, merr gjithë vendimet që do, por uroj që ato të mos ndikohen nga vendimet familjare të Ramës dhe lidhjeve të tij, që në aktin më të shëmtuar i kanë lejuar vetes të marrin 19 nga 28 lejet e ndërtimit. Unë ju garantoj se ti biesh planetit kryq e tërthor një gjë të tillë nuk e gjen përveçse me kryetarin e Bashkisë së Tiranës gjë që përbën një akt poshtërues për qytetin, qytetarët dhe vendin. Çfarë kryetar opozite është ai (Rama) që ia paraqet qytetarëve trillimet si alternativa, ka pohuar Berisha. Kryeministri ka vijuar më tej me akuzat e tij, duke u shprehur se këtë herë Rama është zhveshur edhe nga lëkura e tij. Kryetari i Bashkisë së Tiranës është zhveshur jo si herën e parë, pasi herën e parë iu vu një gjethe fiku, por këtë herë e ka hequr edhe lëkurën, ka shtuar Berisha. Përsa i përket, çështjes së centralit bërthamor, Berisha e ka cilësuar trillim që kreu i socialistëve po bën në prag fushate. Pagoji një gazetë kroate për të bërë një lajm të pa qenë: Centralin Bërthamor në Shkodër. Ky është vetëm një trill, asnjë central nuk do të ndërtohet në Shkodër, ka pohuar kreu i qeverisë. Gjatë konferencës për shtyp, të mbajtur pasditen e djeshme, Berisha duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, e ka cilësuar Ramiz Alinë arkitekt të terrorit të Shqipërisë. Gjatë kësaj konference ndër të tjera, kryeministri Berisha deklaroi se rruga Durrës- Kukës, do të përurohet para zgjedhjeve dhe turistët kosovarë do të kalojnë përmes rrugës së re. Do t'iu siguroj se rruga Rrëshen-Kalimash inaugurohet para zgjedhjeve dhe turistët kosovarë do të kalojnë përmes kësaj rruge. Unë ftoj që të vijnë sa më shumë, ka theksuar ai. Ndërsa lidhur me pyetjen e dhënies së licencës së operatorit të katërt celular, Berisha është ka përmendur sërish kundërshtarin e tij, politik Edi Rama. Nuk do t'ia jepja licencën Edil Al që solli 2-3 milion euro më pak. Edili është bashkëpunëtor i Ramës dhe me presione kërkon të përfitojë favore nga kjo qeveri. Por as ai, as miku tjetër i Ramës, nuk mund të përfitojnë në mënyrë të paligjshme, sepse edhe ky i fundit kërkoi Armo-n me disa milion më pak se sa firma që e fitoi. Dhe një vit rresht tele edili nuk thotë gjë tjetër vetëm erret dhe gdhihet me ARMO, tani na doli dhe licenca, ka theksuar Berisha. Gjatë kësaj konference për shtyp, kreu i qeverisë u shpreh edhe rreth vizitës së tij në Kinë, duke theksuar se kjo vizitë ishte e suksesshme dhe e frytshme dhe hapi një stacion të ri për bashkëpunimin thelbësor mes dy vendeve. Gjeta tek presidenti dhe kryeministri kinez miqësinë tradicionale. Kina i dha Shqipërisë ndihma shumë të mëdha në uzina, fabrika, grurë, ushqime, si dhe në llojet e tjera. Me ndihmat kineze, në uzinat dhe fabrikat që u ndërtuan në disa qytete të vendit u punësuan mijëra shqiptarë, ka deklaruar Berisha, i cili ka shtuar se ka shfrytëzuar më së miri takimet, me homologun kinez, presidentin e këtij vendi, si dhe me përfaqësuesit e kompanive të mëdha kineze, që sipas tij kanë shprehur interes të veçantë për të investuar në Shqipëri.
Lista e kandidatëve
Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike gjatë konferencës për shtyp deklaroi se lista e kandidatëve për deputetw do të shpallet brenda afatit ligjor të përcaktuar. I pyetur nga gazetarët për këtë çështje kryetari i PD-së foli dhe për kriteret mbi të cilat do të përzgjidhen kandidaturat për deputetë. Do të jenë një kompleks kriteresh për kandidatët, duke filluar nga integriteti moral dhe politik, kontributi, aftësitë personale etj. Ata do ti shpall në bazë të afateve që përcakton Kodi Zgjedhor, ka deklaruar kreu i qeverisë.

Last Updated on Thursday, 23 April 2009 14:20

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›