E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, ekspertët parashikojnë krizë

Ballkani do të përballet me një situatë të vështirë energjetike në vitet në vijim, e cila do të shoqërohet me ndërprerje të energjisë dhe rritje të fortë të çmimeve sakaq të larta. Paralajmërimi vjen nga një prej shoqërive më aktive në fushën energjetike në Ballkan, EFT. "Ne po përballemi me kufizime në rritje të energjisë dhe nuk do të ketë përmirësim të situatës, të paktën deri në vitin 2013", ka deklaruar Vuk Hamoviç, drejtori i përgjithshëm i EFT-së, shoqërisë më të madhe të tregtimit të energjisë në Ballkan. Ekonomistët parashikojnë një rritje të konsumit të energjisë në rajon prej 3 për qind në vit, e cila kërkon burime të reja prodhuese. "Asnjë nga investimet në prodhimin e energjisë në Ballkan nuk pritet të hyjë në punë përpara vitit 2011", thotë Hamoviç. Shqipëria është një vend importues neto i energjisë, që vuan ndërprerjet më të mëdha në rajon. Ekspertët thonë se situata energjetike në vend është shumë e varur nga ajo në rajon, për rrjedhojë kriza e Ballkanit do të ketë pasoja të forta edhe në Shqipëri. Vendi u detyrua vitin e kaluar të importojë 200 milionë euro energji me çmime në nivele rekord. Ekspertët parashikojnë rritje të mëtejshme të çmimeve si pasojë e kërkesës në rritje.

BB: Duhen investime

Banka Botërore vlerëson se investimet totale në rajon deri në vitin 2020 duhet të jenë 9.5 miliardë euro. Kësaj shumë i shtohen edhe 5.8 miliardë të tjera kosto rehabilitimi për projektet ekzistuese. Në total, janë më shumë se 15 miliardë euro për t‘u investuar që Ballkani të mund të stabilizojë sektorin e energjisë. Por studimet thonë se asnjë prej këtyre investimeve nuk mund të përfundojë përpara vitit 2011. Shqipëria pret që vitin e ardhshëm të mund të bëjë efektiv termocentralin e Vlorës.

Problemet e tregut

Por problemet e Ballkanit nuk janë vetëm ato me prodhimin e pakët të energjisë. Një tjetër shqetësim mbetet edhe tregu. Në shumicën e vendeve të rajonit, shpërndarja është e privatizuar. Në Shqipëri ka nisur zyrtarisht procesi i privatizimit të shpërndarjes dhe sektori pritet të kalojë përfundimisht në dorë të privatit, brenda muajit shtator. Nga ana tjetër, prodhimi kontrollohet në pjesën dërrmuese nga shteti. Në Bullgari, 50 për qind e prodhimit vendas është shtetëror. Në Serbi, shifra është 90 për qind, ndërsa në Shqipëri afro 99 për qind. Por së fundmi, po vihet re një problem tjetër. Marrëdhëniet mes qeverive dhe privatëve që zotërojnë sektorin e shpërndarjes janë të acaruara pothuajse në të gjitha vendet, për shkak të tarifave. "Çmimet vendosen nga shteti dhe shpeshherë janë shumë më të ulëta nga ato që kërkojnë privatët. "Ky është një kërcënim edhe për Shqipërinë", paralajmëron drejtori i përgjithshëm i Korporatës, Gjergj Bojaxhi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›